Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skuadra e Ibrahimoviqit po shndërrohet në “mini-koloni” të kosovarëve

Loret Sadiku është kthyer pas gati tetë vjetësh në futbollin e Suedisë. Dhe mesfushori do të luajë në një skuadër të famshme që ngadalë po shndërrohet në “mini-koloni” të lojtarëve nga Kosova.

Ai të premten ka firmosur me Hammarbyn, që në nivel më të gjerë është më shumë i njohur si klubi i Zlatan Ibrahimoviqit. Ibra i famshëm ka 23.5 për qind të aksioneve të Hammarbyt, klub i elitës së Suedisë.

Sadiku, që nga vera e vitit 2014 ka luajtur në elitën e Turqisë. Ai ka firmosur për tre vjet me Hammarbyn, ndërsa te ky klub bashkohet me Jesper Jansson, që e kishte transferuar te Helsingborgu, ku Sadiku kishte shpërthyer.

“Loreti është lojtar të cilin e kam përcjellë gjatë dhe vetëm kam pritur për mundësinë që ta marr te Hammarby. Pas një bisede me trajnerin, kemi ndier se është lojtari i duhur dhe mundësia e duhur. Loreti ka luajtur në nivelin më të lartë në Turqi. Ka pasur rol të rëndësishëm te Kasimpasha. Me të kemi angazhuar një lojtar kualitativ që do t’i bëjë më të mirë edhe bashkëlojtarët. Ai është i prirë për të luajtur mesfushor defanziv, por lehtë mund të luajë në pozita të tjera në mesin e fushës. Kualitetet e tij të lojës përshtaten në mënyrë të përkryer me futbollin që ne dëshirojmë ta luajmë”, ka thënë Jesper Jansson, drejtor i futbollit te Hammarby.

Varnamo e Helsingborg janë skuadrat suedeze në të cilat Sadiku kishte luajtur te të rriturit. Në Turqi, dy vjet luajti për Mersinin e më pas prej vitit 2016 ishte te Kasimpasha. Ai ka luajtur për U-21 të Suedisë, ndërsa në vitet 2014 e 2015 ishte prej më të mirëve te Kosova. Por, FIFA nuk e lejoi regjistrimin e tij si lojtar të Kosovës për çështje dokumentacioni dhe Sadiku mbeti pa karrierë të mëtejme në nivel reprezentacionesh.

“Hammarby është klub i madh dhe jam i lumtur që i bashkohem. Njoh disa lojtarë në ekip dhe ata kanë shumë të thonë për klubin. Vij në ekip që dëshiron të luajë futboll dhe kjo më përshtatet”, ka thënë Sadiku.

Edhe Sadiku është shndërruar në lojtar të rëndësishëm te Hammarby Sport Sadiku është shndërruar në lojtar të rëndësishëm te Hammarby

Ai i bashkohet Hammarbyt javën e ardhshme në stërvitje.

Sulmuesi i Kosovës, Astrit Selmani, është njëri prej lojtarëve kryesorë të Hammarbyt. Ndërkohë, skuadrës në janar iu bashkua edhe Edvin Kurtulush, mbrojtësi i U-21 të Kosovës. Pra, tani te Hammarby përfaqësohen e ardhmja, e tashmja dhe e kaluara e përfaqësueses së Kosovës.