Sport

Skandali i bastvënieve zbeh derbin Milan – Juventus

Milani do të mundohet që ta ruajë vendin e parë të dielën mbrëma, kur ballafaqohet me Juventusin në ndeshjen derbi të xhiros së nëntë.

Milani e Juventusi takohen me njëri-tjetrin të dielën nga ora 20:45 në stadiumin “San Siro”.

Milani pas tetë ndeshjeve në krye të tabelës ka 21 pikë, kurse Juventusi ka 17 pikë.

Ndërkohë, Interi i vendit të dytë me 19 pikë, do të luajë kundër Torinos në udhëtim, të shtunën në orën 18:00.

Nicolo Fagioli i Juventusit u bë lojtari i parë që mori dënim, pak javë pasi Paul Pogba doli pozitiv në testin e dopingut.

22-vjeçari u suspendua për shtatë muaj të martën, për shkak të përfshirjes në bastvënie ilegale.

Për këtë ballafaqim të zjarrtë, trajneri i Milanit, Stefano Pioli, do të jetë në mungesë të disa lojtarëve që janë të lënduar apo suspenduar.

Portieri Mike Maignan është i suspenduar për shkak të kartonit të kuq të marrë në fitoren 1:0 ndaj Genoas para pushimit të përfaqësueseve, ndërsa i suspenduar është edhe Theo Hernandez.

Ruben Loftus-Cheek dhe Rade Kruniq janë të lënduar.

Sidoqoftë, Pioli do të mund të llogaritë në shërbimet e Olivier Giroud, i cili kthehet në pozitën e qendërsulmuesit, pasi zuri vendin e portierit kundër Genoas në fitoren dramatike.

Nga 176 ballafaqime të ndërsjella, “rossonerët” kanë 53 fitore në Serie A, kurse Juventusi ka 67 fitore.

Milani nuk ka pësuar gol nga Juventusi në tri ndeshjet e fundit në ligë, ndërsa i ka fituar dy të fundit në Serie A.

Herën e fundit kur Juventusi fitoi ndaj Milanit në ligë ishte 6 janari i vitit 2021, me Andrea Pirlon si trajner i skuadrës. Që prej asaj kohe, “kuqezinjtë” janë pa humbje ndaj Juventusit, me dy fitore e dy barazime.

Kampioni në fuqi, Napoli, të shtunën e hap xhiron në udhëtim te Verona, por do të jetë pa sulmuesin Victor Osimhen, i cili pësoi lëndim muskulor me Nigerinë.

Pritet rikthimi i Amir Rrahmanit në qendër të mbrojtjes.