Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skandal në Rumani: Kanë nisur hetime për baste

Ka nisur një hetim për baste në Rumani. Portieri i skuadrës rumune Craiova, Sorin Mogosanu është duke u hetuar për përfshirje në baste sportive. Portieri i tretë i Craiovës dyshohet se ka vënë më shumë se 50 tiketa nga një llogari e krijuar në emrin e tij.

“Është vetëm fillimi, ka lidhje të shumta që me siguri do të dalin në dritë. Portieri ka vënë bast mbi 50 tiketa, në thelb ka bërë mbi 50 baste, në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, nga e njëjta llogari. E pabesueshme është se ajo llogari është krijuar me të dhënat e tij personale. Në këtë moment të gjitha indikacionet tregojnë se është ai që ka vënë bast”, i ka thënë një burim nga hetimi portalit rumun “Pro Sport”.

Portieri ka pranuar se ka një llogari me një kompani bastesh në internet. Por ka mohuar se ka luajtur ndeshje. Tha se e përdor atë për lojëra kazino.

Ndërkohë, pronari i Craiovas, Adrian Mititelu ka reaguar pasi emri i portierit u bë publik. Ai është i habitur.

“Nëse është e vërtetë, jam i tronditur. Nuk mund ta besoj një gjë të tillë. Po të më kërkoje ta bëja një listë me 40 lojtarë, ka qenë ndër tre të parët për seriozitet. Por e di si është jeta. Nuk mund të rrish të shikosh çfarë bëjnë të gjithë. Është e hershme të flasësh për masa, të shohim çfarë prove do të ketë nëse çdo gjë është e vërtetë”, ka thënë Mititelu për “Pro Sport”.

Në kampionatin rumun janë disa futbollistë shqiptarë. Ndër ta edhe Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Florent Hasani që luajnë për Rapid Bukureshtin dhe Arlind Ajeti te Cluji.

LEXO EDHE:

 

Artikuj të ngjashëm