Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sipas O’Connellit, ragbi është sport i përshtatshëm për kosovarët

Sipas ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell sporti i ragbit është shumë i përshtatshëm për kosovarët.

Këtë ai e tha gjatë turneut “Mini Rugby” që u organizua sot në Matiqan.

Bashkë me O’Connellin i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi që tha se do ta licencojnë për herë të parë në Kosovë Federatën e Ragbit, pas themelimit të gjashtë klubeve.

“Tashmë gjashtë klube ekzistojnë në Kosovë, gjashtë klube të ragbit dhe së shpejti, ne Ministria e Sportit do ta licencojmë federatën e ragbit për herë të parë në Kosovë, është një sport jashtëzakonisht atraktiv i cili, po e përsëris, ka munguar te ne, dhe unë si ministër por edhe ministria e Sportit jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të përkushtuar që të kemi sa më shumë lloje të sporteve, dhe njëri nga ta do të jetë edhe sporti i ragbit. Sot jam këtu për të pa se si të rinjtë tanë mund të mishërohen me këtë sport dhe në të njëjtën kohë, bashkë me ambasadorin të dakordohemi ku të fillojmë investimet për ndërtimin e ndonjë fushe për këtë lloj sporti sepse besoj fuqishëm që ka me u përqafu nga shumë të rinj”, ka thënë Gashi.

Kurse, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Roairi O'Connell, tha se ky sport kërkon trimëri, e sipas tij, trimëria nuk mungon në Kosovë. Ai tha se ky sport është për të gjithë dhe u shpreh optimist për popullarizimin e këtij sporti në Kosovë. Gjithashtu, Connell tregoi se kanë pasur mbështetje nga MKRS dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Gjithmonë kam menduar që sporti më i përshtatshëm për kosovarët është ragbi dhe populli ma i përshtatshëm janë kosovarët. Na vjen shumë mirë që kanë ardhur me dhjetëra e qindra njerëz me këqyrë këtë sport. Ka kosovarë, shqiptarë po edhe serbë të Kosovës që luajnë në diasporë, jashtë vendit dhe shpresojmë që do ta popullarizojmë sportin e ragbit këtu në Kosovë”, ka thënë O’Connell.

Edhe Federata kosovare e ragbit me deklaratë zyrtare pas humbjes 101:0 nga Mali i Zi Sporte të tjera 2 muaj më parë Federata kosovare e ragbit me deklaratë zyrtare pas humbjes 101:0 nga Mali i Zi

Kurse Shpëtim Shujaku, lojtar nga klubi i ragbit “Bears RFC” ka thënë se pavarësisht që është një sport i ri, pret pjesëmarrje të madhe dhe shpreson që të shndërrohet një sport i rëndësishëm në Kosovë.

“Ky sport është ende në fazat fillestare të zhvillimit në Kosovë, pasi që nuk ka shumë klube, mirëpo, besojmë që me kalimin e kohës, ragbi do të zhvillohet si një sport i rëndësishëm në Kosovë, pasi që edhe në nivelin botëror po arrin të ketë një atraktivitet”, ka thënë Shujaku, transmeton KP.

Përndryshe, në kuadër të themelimit të Federatës së Ragbit, u zhvillua turneu i parë në këtë sport.