Sigal Prishtina nuk ka lejuar befasi në gjysmëfinale përballë Bashkimit dhe ka avancuar në finale ku do të përballet me Trepçën.
Kryeqytetasit të enjten në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë fituan me rezultatin 71:66 përballë prizrenasve, për ta përsëritur finalen e Kupës së Kosovës të vitit të kaluar.
“Bardhekaltrit” i fituan tre çerekët e parë, ndërsa i fundit i takoi Bashkimit.
23:19 u mbyll periudha e parë dhe 21:17 çereku i dytë, ndërsa Sigal Prishtina shkoi në pushim me epërsi prej tetë pikëve. Prishtina vazhdoi me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë të cilin e fitoi me rezultatin 16:14. Vetëm 10-të minutat e fundit të ndeshjes i takuan Bashkimit, që megjithatë, nuk arriti ta kthejë rezultatin pavarësisht se u afrua në katër pikë.
Te prishtinasit më i dalluari në këtë ballafaqim ishte Shaheed Davis që realizoi 21 pikë, pesë kërcime e një asistim.
Henrik Shirko pati shtatë pikë, dhjetë kërcime e tri asistime. Ndërkohë, kontribut në fitore dha edhe kapiteni Dardan Berisha, me 19 pikë, tri kërcime e dy asistime.
Te Bashkimi ishin tre basketbollistë me pikë dyshifrore. Altin Morina pati 14 pikë e Isaiah Umipig realizuan nga 14 pikë, kurse Lejson Zeqiri pati 10 pikë e nëntë kërcime.
Eric Copes u dallua me nëntë pikë, pesë kërcime e dy asistime. Finalja mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Në finalen e konkurrencës së femrave janë KBF Prishtina dhe KBF Bashkimi. Ky ballafaqim nis në orën 14:00.
Në finalen e Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar, Trepça kishte fituar ndaj Sigal Prishtinës në ndeshjen e zhvilluar në Rahovec, me rezultatin 74:66.