Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar votimin e përzgjedhësve dhe të kapitenëve të përfaqësueseve për futbollistin më të mirë të vitit 2021.
Robert Lewandowski të hënën mbrëma u shpall më i miri i vitit sipas FIFA-s, duke fituar çmimin “The Best”. Lewa fitoi para Lionel Messit dhe Mohamed Salahut.
Përzgjedhësi i përkohshëm i Kosovës, Primozh Gliha, me pesë pikë e ka vlerësuar Lewandowskin. Tri pikë ia ka dhënë sulmuesit të Real Madridit, Karim Benzema, ndërsa një pikë Jorginhos, mesfushorit të Chelseat dhe Italisë.
Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, po ashtu e ka vlerësuar Lewandowskin më të mirin e vitit. Mohamed Salah ka marrë tri pikë nga Ujkani, ndërsa Lionel Messi një.
Ashtu si mund të jetë pritur, përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, me pesë pikë e ka vlerësuar Jorginhon. Tri pikë ia ka dhënë Robert Lewandowskit e një Lionel Messit.
Kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha, ka vlerësuar më ndryshe. Pikët maksimale (5) ia ka dhënë Lionel Messit. Me tri pikë e vlerësoi Lewandowskin e me një Erling Haalandin, sulmuesin e Borussia Dortmundit.
Lewandowski mori 535 pikë nga trajnerët e 555 pikë nga kapitenët. Kurse nga gazetarët i takuan 589 pikë. Ka dalë i pari në të tri “kategoritë”. Por dukshëm më tepër vota të tifozëve kishte Lionel Messi, mbi 708 mijë. Mbi 528 mijë vota të shikuesve i kishte Salah, ndërsa Lewandowski i kishte 353 mijë vota.
Kosova nuk ka votuar për “Topin e Artë”, ndërsa është pjesë e votimit edhe për më të mirin e UEFA-s.