Mes shumë kundërthënieve, Lionel Messi të hënën u shpall futbollisti më i mirë në botë për vitin 2023, sipas FIFA-s. Superylli argjentinas i kishte 48 pikë, sa edhe Erling Haaland, por Messi u shpall më i miri pasi kishte më shumë vlerësime me pikë maksimale nga kapitenët e përfaqësueseve. I treti ishte Kylian Mbappe me 35 pikë.
Pas tij ishin Kevin De Bruyne, Victor Osimhen, Rodri e lojtarë të tjerë të mëdhenj. I 11-ti ishte kroati Marcelo Brozoviq. Dhe pikërisht Brozoviq mori pikët maksimale, pesë, nga ish-selektori i Kosovës, slloveni Primozh Gliha. Gliha e kishte të drejtën të votonte për Kosovën dhe bëri votim interesant, thënë më së buti.
Pesë pikë ia dha Brozoviqit, tri Kevin De Bruynet dhe një Ilkay Guendoganit. Pra nuk kishte pikë për Messin, Haalandin apo Mbappen.
I kontaktuar të martën nga KOHA, Gliha e ka arsyetuar votimin me “zgjedhje demokratike”.
“Kështu. Secili ka shijen e tij dhe kriteret”, ka thënë shkurt Gliha. I pyetur nëse ka vlerësuar më të mirët ata për të cilët ka votuar, është përgjigjur: “Po, po”.
Për më të mirin e vitit kanë votuar të gjithë kapitenët dhe të gjithë selektorët e përfaqësueseve në botë e po ashtu gazetarë sportivë nga të gjitha vendet. Janë marrë për bazë edhe votat e tifozëve. Asnjë kapiten nuk ia ka dhënë kroatit Brozoviq pikët maksimale. Prej trajnerëve, këtë pos Glihas e ka bërë edhe Roberto Martinez i Portugalisë.
Brozoviq më 3 korrik është transferuar tek Al Nassr në Arabi Saudite. Deri në korrik ishte tek Interi, me të cilën skuadër pati suksese. 31-vjeçari ka 93 ndeshje e shtatë gola për Kroacinë.
Pjesë e votimit ishte edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai vendosi të votojë për bashkëlojtarët te Napoli. Pesë pikë ia dha Victor Osimhenit e tri Khvicha Kvaratskhelias. Ndërkohë një pikë Rrahmani e kishte për Lionel Messin.
Osimheni e Kvaratskhelia ishin prej më meritorëve që Napoli e fitoi titullin e kampionit në Serie A edicionin e kaluar. Kontribut ka dhënë edhe Rrahmani në këtë sukses.
Nigeriani Osimhen është renditur i pesti me 24 pikë, sipas llogaritjes së bërë nga FIFA, ndërsa gjeorgjiani Kvaratskhelia i kishte shtatë pikë, sa edhe Brozoviqi. Por ishte një pozitë më lartë se kroati.
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, pikët maksimale i kishte për Messin. Tri pikë, sipas Gjimshitit, i takuan Erling Haalandit, ndërsa një Rodrit. Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, e vlerësoi me pesë pikë Haalandin, me tri Messin e me një Kevin De Bruynen.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, kishte votuar sipas renditjes fituese: pesë pikë për Messin, tri për Haalandin e një për Mbappen.
Shpallja e Messit si më i miri nuk solli shumë duartrokitje në sallën ku u mbajt ceremonia të hënën mbrëma në Londër. Messi nuk ishte në ceremoni.
Për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2023, FIFA ka njoftuar se për bazë janë marrë paraqitjet prej 19 dhjetorit të vitit 2022 deri më 20 gusht të vitit 2023. Messi gjatë kësaj kohe ishte te PSG-ja e më pas tek Inter Miami. Nuk ka fituar ndonjë trofe të madh ndërkombëtar. Me Parisin fitoi titullin e Francës.
Ndërkohë Haaland me Cityn ka fituar tre trofe të mëdhenj, duke përfshirë Ligën e Kampionëve. Dhe ka shënuar numër shumë të madh golash.