Nuk ka datë të caktuar se kur do të luhet ndeshja e shtyrë ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës, e cila i takon xhiros së 14-të dhe ishte e paraparë të luhej këtë të diel. Nuk dihet se kur do të luhen edhe ndeshjet e tjera të shtyra të Superligës së Kosovës në futboll. Përgjigje nuk ka as Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni i Garave i FFK-së. Krahas ndeshjes në mes të Ballkanit dhe Prishtinës, në afat të pacaktuar janë shtyrë edhe tri ndeshje të tjera më herët e që ende nuk janë caktuar se kur do të luhen.
Prej katër ndeshjeve të pazhvilluara, tri janë të Ballkanit: Trepça ’89 – Ballkani, Llapi – Ballkani, Prishtina – Trepça ’89, Ballkani – Prishtina. Nuk ka njoftim nëse do të luhen ndeshjet e javës së 15-të në mesjavën e ardhshme. Por, në rast se luhet atëherë Ballkanit do t’i shtyhet edhe një ndeshje tjetër. Ballkani në mesjavën e ardhshme do të luajë në Evropë. Pra, do ta ketë xhiron e fundit të fazës grupore të Ligës së Konferencës, ndaj Clujit në Rumani. Prishtina ka reaguar të martën mbrëma pasi Komisioni i Garave i FFK-së ka vendosur ta shtyjë ndeshjen me Ballkanin, e planifikuar për të dielën. Ballkani luan të enjten ndeshje evropiane, kurse FFK-ja për këtë arsye ka shtyrë ndeshjen e së dielës me Prishtinën. KG-ja njoftoi për shtyrjen e këtij dueli të mërkurën.
“Shtyrja e takimit mes Ballkanit dhe ekipit tonë është ndërhyrje direkte në ndershmëri të garës dhe favorizim për ekipin suharekas”, thuhet në një komunikatë që Prishtina e ka lëshuar të martën mbrëma. “Ballkani të enjten do ta vazhdojë aventurën në Evropë, ndërsa suksesi i tyre do të na bëjë të gjithëve krenarë, siç na ka bërë deri më tash. Por FC Prishtina dhe klubet e tjera në Kosovë nuk e kanë luksin që të presin derisa skuadra suharekase të çlodhet për të zhvilluar një ndeshje derbi dhe të fortë siç kanë qenë ndeshjet në vitet e fundit me Prishtinën. Kjo shtyrje na duket e çuditshme edhe për faktin se skuadra e Ballkanit ndaj Slavia Pragës luan në Prishtinë dhe nuk do të ketë udhëtime të gjata jashtë vendit”.
Prishtina po ashtu ka shkruar se Ballkani ka luajtur ndeshje kampionale pas atyre në fazën grupore të Ligës së Konferencës deri më tani. Se nuk është dashur të shtyhet ndeshja në mes të Ballkanit dhe Prishtinës është i mendimit edhe trajneri Afrim Tovërlani.
“Ndeshja nuk është dashur të shtyhej”, ka thënë shkurt Tovërlani.
Por, ndryshe nga Tovërlani mendon trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Batatina mendon se ka kohë të mjaftueshme për t’u luajtur ndeshjet e shtyra.
“Duhet ta kuptojmë Ballkanin, suksesi i Ballkanit është sukses i futbollit të Kosovës dhe ne duhet të jemi të gjithë në mbështjetje të Ballkanit dhe me asnjë kusht t’ia vështirësojmë punën, por t’ia lehtësojmë punën. Sa i përket Llapit, kur Ballkani ta shohë të arsyeshme, ne i luajmë ndeshjet, sepse duhet të mbështetet secila skuadër që luan në Evropë. Nuk do të ketë telashe në orar, sepse kemi kohë të mjaftueshme sivjet të luajmë edhe ndeshjet e mbetura. Nëse e duam ngritjen e futbollit të Kosovës, nuk duhet të jemi ata që mos ta mbështesim Ballkanin, por duhet ta ndihmojmë në çdo gjë që ata mendojnë. Rivalitetin e brendshëm nuk duhet ta bartim në rivalitetin e jashtëm dhe kjo tregon se Ballkani duhet të mbështetet, nuk ka rëndësi kur i luajmë ndeshjet brenda kampionatit tonë”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Për kërkesën që Ballkani ka bërë për shtyrje të ndeshjes foli të mërkurën edhe trajneri Ilir Daja. Daja tha se Ballkani është lodhur duke luajtur ndeshje çdo të katërtën ditë.
“Nuk e kemi kërkuar shtyrjen e ndeshjes me Prishtinën për shkak të rezultatit, pasi në momentin që Prishtina kërkoi të luante Gashi kundër nesh, edhe pse nuk ia lejonte kontrata, ne pranuam. Ideja që kemi bërë krenar çdo shqiptar, ndeshja është shtyrë vetëm për një gjë. Që të paktën këta lojtarë që kanë bërë histori deri më sot në futbollin e Kosovës të mos i çojmë drejt dëmtimeve. Kjo ishte arsyeja e vetme që kemi kërkuar të shtyhet ndeshja, sepse rezultatet i marrim në fushë. Ballkani për 24 ditë ka zhvilluar tetë ndeshje dhe kjo ka qenë një arsye edhe më shumë që kemi kërkuar ta shtyjmë ndeshjen”, ka thënë Daja.
Deri në fund të stinorit vjeshtor të edicionit aktual të elitës së futbollit kosovar kanë mbetur pesë xhiro të rregullta për t’u zhvilluar dhe një mesjavë do të jetë e rezervuar për ndeshjet e Kupës. FFK-ja ka njoftuar më herët se Superliga e futbollit kosovar do të pushojë nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, kur zhvillohet kampionati Botëror i futbollit në Katar. Komisioni i Garave i FFK-së nuk e ka caktuar ende datën e zhvillimit të ndeshjes së Superkupës ndërmjet Ballkanit dhe Llapit, për shkak pjesëmarrjes së skuadrës suharekase në garat ndërkombëtare. Kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, ka thënë për KOHËN të mërkurën se mund të përgjigjet vetëm nëpërmjet zyrës për media.
“Gjithçka që keni duhet nëpërmjet zyrës për informim”, ka thënë Bellopoja.
KOHA i ka shkruar të martën mbrëma zyrës për media të FFK-së.
Por, deri në orët e vona të së mërkurës nuk ka marrë përgjigje. KOHA ka kohë që nuk merr përgjigje nga FFK-ja për asnjë çështje me interes të publikut. Prishtina mbetet i vetmi klub që publikisht ka reaguar për shtyrje të ndeshjeve. Por, të pakënaqura janë edhe disa klube të tjera.