Prishtina ka reaguar pasi Komisioni i Garave i FFK-së ka vendosur ta shtyjë ndeshjen me Balllkanin, e planifikuar për të dielën. Ballkani luan të enjten ndeshje evropiane, kurse FFK-ja për këtë arsye ka shtyrë ndeshjen e së dielës me Prishtinën.
“Shtyrja e takimit mes Ballkanit dhe ekipit tonë është ndërhyrje direkte në ndershmëri të garës dhe favorizim për ekipin suharekas”, thuhet në një komunikatë që Prishtina e ka lëshuar të martën mbrëma.
“Ballkani të enjten do ta vazhdojë aventurën në Evropë, ndërsa suksesi i tyre do të na bëjë të gjithëve krenarë, siç na ka bërë deri më tash. Por FC Prishtina dhe klubet e tjera në Kosovë nu–k e kanë luksin që të presin derisa skuadra suharekase të çlodhet për të zhvilluar një ndeshje derbi dhe të fortë siç kanë qenë ndeshjet në vitet e fundit me Prishtinën. Kjo shtyrje na duket e çuditshme edhe për faktin se skuadra e Ballkanit ndaj Slavia Pragës luan në Prishtinë dhe nuk do të ketë udhëtime të gjata jashtë vendit”.
Prishtina ka shkruar se Ballkani ka luajtur ndeshje kampionale pas atyre në fazën grupore të Ligës së Konferencës deri më tani.
“Përjashtim në këtë rast bënë Prishtina, të cilës i kërkohet shtyrja e ndeshjes, jo për një ditë mirëpo për kohë të pacaktuar. FC Prishtina gjithashtu shpreson se Komisioni i Grave në të ardhmen do t’i bëjë më mirë llogaritë pasi që në fillim të edicionit është njoftuar se ndeshja do të zhvillohet më 27 tetor. Ndërkohë që më 24 tetor sërish e kemi dërguar orarin ku keni konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet më 30 tetor. E një ditë më pas (sot) njoftohemi se përballja me Ballkanin është shtyrë për kohë të pacaktuar”, shkruan në komunikatën e Prishtinës.