Ndeshja e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Ferizajt dhe Ballkanit, është shtyrë për një ditë. Lajmi është konfirmuar të premten nga Ferizaj nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ndeshja që ishte paraparë të luhet të dielën, është shtyrë për ditën e hënë në orën 15:00 nga Komisioni i Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Shtyrja ka ardhur për shkak të telasheve që Ballkani i ka pasur gjatë kthimit nga Çekia, ku e zhvilloi ndeshjen kundër Slavia Pragës në kuadër të Grupit G të Ligës së Konferencës.
“Ndeshja e xhiros së 8 në “ALBI MALL” Superligën e Kosovës në Futboll mes FC Ferizaj – FC Ballkani e caktuar të zhvillohej ditën e diel nga ora 15:00, është shtyrë për të hënën. Vendimi na është dërguar nga Federata e Futbollit të Kosovës, me arsyen se Ballkani pas përfundimit të ndeshjes së djeshme kundër Slavia Prages, ka pasur telashe gjatë kthimit, me një defekt në aeroplan, e që krijoi frikë dhe trauma tek stafi, lojtarët dhe se kanë mbërritur me shumë vonesë në Kosovë”, ka shkruar Ferizaj.