Aurona Racaj e shfaq me krenari një fotografi me Milot Rashicën, njërin prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Por, futbollistja e re mund të mburret që tashmë ka më shumë gola se Rashica për Kosovën.
Aurona Racaj ka shënuar plot shtatë gola në tri paraqitjet e para për Kosovën U17. Rashica ka 6 gola në 34 ndeshje për Kosovën A. Natyrisht, Rashica është nivel dukshëm më i lartë, por Aurona që në nismë ka dëshmuar se bëhet fjalë për futbolliste me potencial të madh.
Ajo ishte prej më meritoreve për suksesin e Përfaqësueses U17 të Kosovës në raundin e parë kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kosova ka fituar grupin në Ligën B dhe për raundin e dytë kualifikues është promovuar në Ligën A, prej ku mund ta sigurojë kualifikimin në Evropian.
Më 24 shtator, Kosova U17 kishte fituar 13:0 ndaj Gjeorgjisë. Është fitorja bindshëm më e thellë që kanë shënuar përfaqësueset e Kosovës apo skuadrat kosovare të futbollit në skenën evropiane. Më pas futbollistet e reja luajtën 1:1 ndaj Bjellorusisë dhe në fund fituan 4:2 ndaj Luksemburgut, të enjten.
Në të tri ndeshjet është shquar Aurona Racaj. Ndaj Gjeorgjisë ajo u aktivizua në fillim të pjesës së dytë. Për një pjesë kompletoi tregolëshin, duke realizuar në minutën e 62-të, 70-të dhe 88-të. Ndaj Bjellorusisë startoi dhe shënoi golin e barazimit, që ishte vendimtar për kualifikim. Në fitoren e kualifikimit, 4:2 ndaj Luksemburgut, 16-vjeçarja me numrin 13 në fanellë i shënoi tre gola.
Pra, bilanci i saj është shtatë gola në tri ndeshje. Shtatë golat i shënoi nga gjithsej dhjetë tentime. Një bilanc i veçantë për një lojtare të re.
“Në Luksemburg ishte një përvojë e re dhe e paharruar për mua. Jam shumë e kënaqur me paraqitjen time, por edhe të ekipit në përgjithësi. Kemi qenë më se të përgatitura për këto ndeshje dhe suksesi nuk kishte se si të mungonte”, ka thënë Aurona Racaj në një intervistë për KOHËN, të dielën.
Ajo për herë të parë është grumbulluar me Kosovën. Dhe, në fillim nuk e ka ditur se çka të presë. Natyrisht fitorja 13:0 ka rritur synimet.
“Vetëbesimi ynë është rritur e, po ashtu, dëshira për të dalë të parat në grup. Qëllimit ia arritëm dhe tani do të vazhdojmë me më shumë stërvitje që të përgatitemi për ndeshjet që na presin në Ligën A në fazën e dytë kualifikuese. Jam shumë e kënaqur me të tri ndeshjet që i kam luajtur, por do ta veçoja takimin me Bjellorusinë që përfundoi baras. Kemi dashur të shënojmë më shumë gola, por kushtet atmosferike, shiu që ka rënë gjatë tërë ndeshjes, na ka pamundësuar që ta luajmë lojën tonë më të mirë”, ka shtuar Racaj.
Bilanci prej shtatë gola në tri ndeshje dhe “hat-tricku” në dy ndeshje e ka befasuar edhe atë. Nuk ka pritur se do të jetë kaq e suksesshme.
Aurona prej tetorit të vitit 2017 është pjesë e Dukagjinit të Klinës. Që në edicionin e parë Dukagjini fitoi titullin e kampionit në ligën U16 të futbollisteve. Meritat për zhvillimin si futbolliste Aurona ia lë punës së trajnerëve dhe vullnetit të saj. I përmend trajnerët Naim Kadriu e Blerim Mullaku.
“Në ndeshjen e parë, ndaj Gjeorgjisë, u aktivizova si zëvendësuese në pjesën e dytë dhe ia dola të shënoj tri gola. Ata gola më shtuan vetëbesimin dhe vullnetin për ndeshjet e ardhshme. Pres dhe shpresoj që në secilën ndeshje që do ta luaj për Kosovën dhe Dukagjinin, të tregoj më të mirën dhe të shënoj gola sa më shumë”, ka theksuar Racaj.
Synimet e Auronës janë që të luajë për Kosovën për kohë të gjatë dhe ta ndihmojë Dukagjinin të shpallet kampion. Ajo falënderon përzgjedhësin Kushtrim Munishi për ftesën, ndërsa është falënderuese edhe ndaj stafit të përfaqësueses dhe bashkëlojtareve, për të cilat thotë se “luajtën për mrekulli”.
Aurona tregon se futbollin e ka dashur gjithnjë, por deri në moshën 12-vjeçare nuk e kishte ditur se në Klinë ka ekip të vajzave. Arsimtari i Edukatës Fizike, Sami Millaku, e kishte drejtuar për te Dukagjini.
“Me plot gëzim kam shkuar me babanë në Klinë dhe kemi biseduar me trajnerin Naim Kadriu. Që atë ditë u bëra pjesë e Dukagjinit dhe vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi. Te Dukagjini kemi krijuar një ekip të mirë e të suksesshëm. Kalojmë shumë mirë së bashku”, ka theksuar Racaj.
Sukseset e saj të deritashme në futboll ishin modeste. Por, golat në Luksemburg pritet t’i japin hov zhvillimit të Auronës. Ajo shquhet për numrin e madh të golave, ndërsa veçon edhe teknikën e shpejtësinë. Thotë se shquhet edhe për asistimet e shumta që i bën.

Plot pesë lojtare të Dukagjinit ishin pjesë e Kosovës U17. Kjo dëshmon për punën e mirë që bëhet te kjo skuadër.
“Presim që këto paraqitje dhe ky sukses i arritur të na ndihmojë në karrierë. Unë dhe vajzat tjera jemi falënderuese për të gjithë ata që na kanë përkrahur”, ka theksuar Aurona Racaj, shpresa e madhe e futbollit kosovar.