Miliona euro investohen nga klubet e basketbollit kosovar brenda një viti. Pak prej tyre, megjithatë, shkojnë në kategoritë e reja dhe kështu zhvillimi i të rinjve nuk është i duhuri. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e përfaqësueseve U14 për djem dhe vajza në turneun “Youth Development Fund” që u mbajt këtë javë në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Kosova i humbi të gjitha ndeshjet, disa prej tyre me rezultat shumë të thellë. Rezultatet e së dielës, për shembull, dëshmojnë që gjendja në kategoritë e reja nuk është e duhura.
Basketbollistet e Kosovës U14 kanë pësuar 67:21 nga Bullgaria. Në çerekun e tretë basketbollistet kosovare i shënuan vetëm tri pikë, ndërsa në çerekun e katërt i shënuan katër pikë. Gjatë gjithë ndeshjes ishin inferiore ndaj moshatareve nga Bullgaria.
Humbje shumë të thellë pësuan edhe basketbollistët e Kosovës U14. U mposhtën 87:30 nga Bullgaria U14. Në çerekun e parë Kosova i shënoi vetëm tri pikë, ndërsa i pësoi 21. Në çerekun e katërt, të rinjtë e Kosovës i shënuan vetëm katër pikë e i pranuan plot 19.
Edhe më keq basketbollistet e reja u ndanë të premten. Pësuan 70:16 nga Rumania. Në pjesën e parë i shënuan vetëm tri pikë - dy në çerekun e parë e vetëm një në të dytin.
Basketbollistët e rinj pësuan nga Rumania me rezultat 75:58. Nga Maqedonia e Veriut, basketbollistet e reja të Kosovës pësuan po ashtu thellë, 73:24. Ndërkohë basketbollistët pësuan nga Maqedonia e Veriut me 72:57.
Ngjashëm ishin edhe në ndeshjet e para në turneun e zhvilluar në Shkup. Basketbollistet e Kosovës U14 pësuan 82:32 nga Turqia, ndërsa basketbollistët e Kosovës U14 humbën 73:58 nga turqit e rinj.
Turneu që për qëllim ka zhvillimin e basketbollistëve të rinj, ka dëshmuar se të rinjtë kosovarë i pret rrugë e gjatë dhe se investimet milionëshe në basketboll duhet të riorientohen.
Vetëm humbje kishin edhe futbollistët e Kosovës U15 në turneun zhvillimor të UEFA-s të mbajtur në Tiranë. Fillimisht Kosova U15 pësoi 2:1 nga Shqipëria. Më pas humbi me penallti nga Maqedonia e Veriut. Të shtunën, Kosova U15 humbi 2:0 nga Hungaria.
“Përkundër faktit që në asnjërën prej ndeshjeve nuk arritën t’i gëzohen fitores, Dardanët U15 patën paraqitje të mira, por mungesë fati”, ka arsyetuar FFK-ja humbjet rresht.
Për më tepër, Kosova U17 të premten pësoi 4:0 nga Kroacia.
Jo vetëm në basketboll e futboll gjendja e kategorive të reja është shqetësuese. Njëjtë është edhe në hendboll e volejboll. Në sportet e tjera është edhe më e keqe. Por mungesa e rezultateve te të rinjtë zakonisht kalohet në heshtje të plotë.