Madrid, 26 prill – “Do të përpiqem”, tha Eden Hazardi, kur u pyet në konferencën e tij të parë te Real Madridi, nëse do të mund të bëhej lojtari më i mirë në botë.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi ishin dy më të mirët në botë dhe sugjerimi ishte se Hazardi ishte i treti, dhe se me kalimin te Reali do të kishte mundësinë të bëhej më i miri. Hazardi po transferohej te Reali si një yll i madh nga Chelsea dhe si njëri prej lojtarëve më të mirë në Premier League. Ai shihej si zëvendësues i Ronaldos, i cili kishte lënë një boshllëk pas largimit nga Reali.
Dhe në klub mendohej se me Hazardin do të niste një epokë e re. Pritej që belgu një ditë ta fitonte edhe “Topin e Artë”.
“Nëse gjithçka shkon mirë, pse jo?”, tha Hazardi. “Është në kokën time, por nuk po e mendoj çdo ditë”.
Pothuajse dy vjet më vonë, Hazardi e konsideron si një bekim të kalojë një ndeshje të vetme pa një kërcitje të muskujve, e lëre më një sezon të tërë, të denjë për vlerësim ndërkombëtar.
Real Madridi përballet me Chelsean në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të martën (21:00) dhe do të ishte një befasi e madhe nëse Hazardi do të ishte titullar kundër ish-skuadrës së tij. Hazardi u inkuadrua nga banka e rezervistëve të shtunën kundër Betisit për të luajtur 15 minutat e tij të parë pas gati tre muajve.
“Ai luajti me energji. Ne do të kemi nevojë për të”, insistoi trajneri Zinedine Zidane.
Hazardi te Real Madridi është vlerësuar si një transferim i madh apo “galaktiku” i radhës, por që deri më tani nuk e ka pasur shkëlqimin e duhur. Hazardi është lojtar i valës së fundit të nënshkrimeve të mëdha të Real Madridit.
Në fakt, kjo valë vitet e fundit është reduktuar në masë të madhe. Gareth Bale iu bashkua klubit në vitin 2013, kurse një vit më vonë James Rodriguez, lojtari më i mirë i Botërorit 2014.
“Epoka e galaktikëve mbetet e veçantë dhe me këtë i dëshmon botës se ke një lojtar të klasit botëror në çdo pozitë”, ka pranuar presidenti Florentino Perez.
Sezoni 2018/19 ishte i mjerueshëm për Real Madridin. Rezultatet e dobëta rritën ndjenjën e humbjes nga largimi i Ronaldos dhe ndihej nevoja për ta zëvendësuar atë me një superyll që mund të merrte përgjegjësinë. Hazardi dukej ideal për këtë pozitë, por që deri më tani nuk ka bërë asgjë për ta dëshmuar veten. Koha e tij ishte kufizuese te Real Madridi për shkak të lëndimeve të shpeshta dhe në klub po besojnë se kthimi i tij në fund të sezonit, do të ndihmoj në rrugën drejt trofeve. Nëse Hazard nuk dëshmohet tani, vështirë se dikush do t’i bëjë ofertë Realit për blerjen e tij. Për një kohë, Zidane planifikoi lojën e ekipit përreth Hazardit, por belgu pothuajse vazhdimisht ishte i lënduar. Ndeshja ndaj Chelseat do të ishte një mundësi e shkëlqyeshme që Hazardi të fillojë shkëlqimin.
“Hazardi është i gatshëm dhe gjëja më e rëndësishme është se ai është kthyer në momentin më të rëndësishëm për ekipin. Shpresoj të mos ketë dhimbje dhe të na ndihmojë deri në fund të sezonit”, ka thënë Zidane.
Në vitin 2000, me ardhjen e Perezit, nisi periudha e galaktikëve te Real Madridi. Luis Figo, Zinedine Zidane, Ronaldo, David Beckham, Michael Owen, Robinho e Sergio Ramos ishin në valën e parë. Kaka, Karim Benzema, Cristiano Ronaldo, Xabi Alonso, Angel Di Maria, Luka Modriq, Gareth Bale, Toni Kroos e James Rodrigez ishin në të dytën.