Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, shënoi të enjten mbrëma golin më të rëndësishëm në karrierën e deritashme. Goli i Krasniqit ishte me peshë të madhe për skuadrën e Ballkanit.
Kampioni i Kosovës me golin e realizuar në minutën e katërt të kohës shtesë nga Krasniqi e shënoi fitoren e parë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Kjo fitore është historike pasi Ballkani është ekipi i parë nga Kosova që paraqitet në fazë të grupeve në kupat evropiane.
Në Turqi, Ballkani e mposhti skuadrën e Sivassporit me shifrat 4:3. Ballkani është lider i Grupit G me katër pikë të mbledhura, pas tri ndeshjeve të luajtura. Nga katër pikë i kanë edhe ekipet e tjera në grup dhe gjithçka është e hapur për avancim në fazën nokaut.
Goli ndaj Sivassporit ishte i dyti për Krasniqin në fazën e grupeve të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. 24-vjeçari shënoi gol edhe në duelin e xhiros së dytë, atë në udhëtim ndaj Slavia Pragës, që Ballkani e humbi me rezultatin 3:2.
“Pa asnjë pikë dyshmi që ky është goli më i rëndësishëm deri më tani në karrierën time”, tha Krasniqitë premte për KOHËN për golin ndaj Sivassporit. “Më shumë se për golin jam i kënaqur me bashkëlojtarët, pasi të gjithë treguam karakter të fortë dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment”.
Në fakt, Krasniqi ka qenë goxha i kritikuar për humbjen e rasteve të shumta te Ballkani në ndeshjet e kaluara evropiane, sidomos në fazën kualifikuese. Madje, pas eliminimit të Ballkanit nga Zhalgirisi i Lituanisë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionve, Krasniqi nëpërmjet një postimi në “facebook” pati kërkuar falje.
Ai thotë se të gjitha kritikat i kishte pranuar, por asnjëherë nuk e kishte humbur besimin. Thotë se e ka ditur se do të vijë momenti i tij dhe shpreson që pas dy golave në dy ndeshjet e fundit të Grupi G, të vazhdojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e mbetura.
“E di që në fillim kam qenë paksa i kritikuar, por unë kam pasur besim të vetja për shkak se me punë arrihet gjithçka. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe së bashku me klubin t’i bëjmë të lumtur dh krenarë të gjithë në Kosovë”, ka insistuar Krasniqi.
Pas eliminimit nga Championsi, Krasniqit nuk i mungoi kontributi në kualifikimin historik të Ballkanit në Ligën e Konferencës. Në tri runde të luajtura, përfshirë edhe plejofin, ai shënoi dy gola dhe asistoi katër herë për bashkëlojtarët.
“Sigurisht që jam munduar dhe jam angazhuar maksimalisht në secilën ndeshje për ta ndihmuar ekipin në çfarëdo mënyre, me asistime apo me gola. Jemi në fazën e grupeve dhe mendoj se po e përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Krasniqi.
Fitorja ndaj Sivassporit jo vetëm që ka rritur motivin te Ballkani, por ka shtuar besimin edhe më shumë se avancimi përtej fazës së grupeve është mision i mundshëm. Deri në fund të fazës së grupeve, Ballkani i ka edhe tri ndeshje - dy në shtëpi dhe një në udhëtim. Javën e ardhshme e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës skuadrën e Sivassporit. Pas ndeshjes me Sivassporin, Ballkani sërish luan si vendas por kundër Slavias, përpara se ta mbyllë fazën grupore me ndeshjen te Cluji, më 3 nëntor.
“Fitorja me Sivassportin na motivon shumë pasi që tani i kemi edhe dy ndeshje si vendas dhe kjo është e rëndësishme. Kam besim se të gjithë së bashku, përfshirë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve, mund t’ia dalim”, shtoi Krasniqi. “Në fillim ne ishim të kënaqur vetëm me faktin që u kualifikuam në grupe. Mirëpo pas fitores së parë janë rritur gjasat tona për të shkuar më larg duke e bërë edhe një hap më të madh”.