Ermal Krasniqi ishte prej më të mirëve te Ballkani në sezonin që lamë pas, por edhe në ndeshjen e parë ndaj Zhalgirisit në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Krasniqi në takimin e parë të zhvilluar në Prishtinë para një jave asistoi në barazimin e Ballkanit me Zhalgirisin 1:1.
Pati edhe disa mundësi të shpërdoruara, ashtu siç e kishte edhe një tjetër në duelin kthyes.
Ballkani të martën mbrëma u eliminua nga rrethi i parë kualifikues i “Championsit” nga Zhaligirisi që fitoi 1:0 në vazhdime, ndërsa Krasniqi e ka marrë një pjesë të përgjegjësisë së këtij eliminimi.
“Zhgënjimi nga mossuksesi nga rrethi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve kundër ekipit Zhalgiris është shumë i madh, si nga ekipi në tërësi, ashtu edhe në aspektin personal. Unë në veçanti, duke i ditur pritshmëritë tuaja që keni pasur ndaj ekipit e ndaj meje, duke u bazuar në një sezon që posa mbaruam me sukses duke u shpallur kampion për herë të parë në histori të klubit, ndjej përgjegjësi të konsiderueshme për këtë eliminim duke i marrë për bazë rastet që më janë shfaqur gjatë ndeshjes e që për fat të keq nuk arrita t’i konkretizoj, pavarësisht që askush nuk do të donte më shumë se unë”, ka thënë sulmuesi 23-vjeçar Krasniqi në Facebook.
Edhe
Shpërthimi i Krasniqit në ndeshjet e rëndësishme të Ballkanit
Ai tutje premtoi se sukseset nuk do të mbarojnë këtu, por do të vazhdohet tutje për një sukses historik.
Krasniqi në sezonin që lamë pas realizoi 15 gola dhe pati tri asistime në 32 paraqitje në elitën e futbollit të Kosovës.