Real Madridi mund ta dëshirojë transferimin e Kylian Mbappes dhe Erling Haalandit në verë, por “hat-tricku” i fundit i Karim Benzemas në Ligën e Kampionëve, tregon se klubi ka tashmë në radhët e veta numrin nëntë më vdekjeprurës në botë, shkruan AFP. Madje, ekziston një argument për të thënë se Benzema është lojtari më i mirë në botë për momentin, pasi ai la nën hije Mbappen - kur Paris Saint-Germaini u eliminua nga Real Madridi në 1/8 e finales të Championsit - si dhe Mohamed Salahun e Liverpoolit që nuk është në formën e tij më të mirë. Carlo Ancelotti tha në nëntor se Benzema “nuk po qante” që nuk e fitoi “Topin e Artë”, pasi përfundoi i katërti në renditje pas Lionel Messit, Robert Lewandowskit e Jorginhos. Por nëse Reali mund ta kthejë fitoren 3:1 në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj kampionit në fuqi të Evropës, Chelseat në një marshim tjetër drejt ngritjes së trofeut të Ligës së Kampionëve, ky mund të jetë, më në fund, viti i Benzemas.
Tentimi i Realit për të siguruar Haalandin këtë verë, pritet të pushojë për shkak të paraqitjeve fantastike të Benzemas, pavarësisht diferencës në moshë prej 13 vjetësh. Në moshën 34-vjeçare, Benzema po bëhet gjithnjë e më i mirë ose, të paktën sipas fjalëve të tij, njerëzit kanë filluar ta vënë re vetëm tani. Ndoshta ka diçka në atë që po thotë francezi, pasi roli i Benzemas si mbështetës i Cristiano Ronaldos në ekip e ka bërë francezin të ishte i nënvlerësuar. Por edhe nëse Benzema ishte i njëjti lojtar atëherë, me talentin identik dhe teknikën perfekte, vetëm tani po i përdor me një efekt kaq të veçantë, shkatërrues. Pas ndeshjes në “Stamford Bridge”, Ancelotti vuri në dukje rritjen e ndjenjës të rëndësisë së Benzemas.
“Ai është një lojtar që ndihet gjithnjë e më shumë si një lider çdo ditë. Ai ndihet më i rëndësishëm në ekip. Kjo është ajo që bën dallimin tek ai, ky personalitet”, ka thënë Ancelotti.
Personaliteti është ndërtuar që nga viti 2018, kur Ronaldo u shit, Gareth Bale ra nga forma dhe Sergio Ramos u largua vitin e shkuar, ndërsa Benzema qëndroi dhe çdo herë, ndjenja e tij e përgjegjësisë rritej në klub. Luka Modriq, Toni Kroos dhe Casemiro mund të jenë të mëdhenjtë e mesfushës dhe Thibaut Courtois është vendimtar, por Benzema është unik, i vetmi lojtar që Real Madridi tani nuk mund ta zëvendësojë. Ai mbush 35 vjeç në dhjetor, një ditë pas finales së Kupës së Botës në Katar, kur nuk është e paimagjinueshme që mund të festojë edhe me Francën, pasi mungoi në triumfin e vitit 2018. Këtë sezon, Benzema ka shënuar më së shumti gola në karrierën e tij për Real Madridin dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ligën e Kampionëve. Ai është bërë lojtari më i vjetër që ka shënuar “hat-trick” në Ligën e Kampionëve, dy herë, dhe golashënuesi më pjellor francez në histori. Ai ka shënuar 10 nga 11 golat e fundit të Madridit dhe ka 37 gola në 36 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon. Kur Benzema nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në Lyon, me vlerë prej 15.000 eurosh në javë, ai mbajti një fjalim para skuadrës, siç ishte traditë e klubit. Disa nga lojtarët e moshuar qeshën me adoleshentin e turpshëm dhe të rraskapitur duke mërmëritur fjalët e tij, por pati heshtje kur Benzema papritmas gjeti zërin e tij.
“Nëse unë jam këtu, është për të zënë vendin tuaj”, ishin fjalët e Benzemas.
Edhe
60 gola në Champions nga Mbappe, vetëm Messi e arriti këtë shifër më i ri
Ai shpejt u bë ylli në Lyon dhe, pas vitesh pritjeje, ky është edhe Real Madridi i Benzemas tani.
“Madridi fitoi sepse ka Benzeman dhe Chelsea nuk e ka”, shkruante gazeta “AS” të enjten. “Realiteti është se askush nuk e ka Benzeman, i cili luan në gjashtë pozicione të ndryshme”.
Pas dy golave të shkëlqyer me kokë në pjesën e parë, Benzema e realizoi “hat-trickun” në të dytën kur shfaqi forcën dhe vullnetin. Ai ndoqi një top që shumë të tjerë do ta kishin lënë dhe detyroi portierin e Chelseat, Edouard Mendyn, të gabonte përpara se të shënonte në portën e zbrazët.
Por, ka pasur edhe viktima të tjera, ku bezdisja e Benzemës i ka shkaktuar turp, mes të tjerëve, Gianluigi Donnarummas të PSG-së në raundin e kaluar dhe Loris Kariusit të Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2018.
“Nuk ishte fat”, tha më pas Benzema. “Ishte punë e vështirë”.
Me La Ligën e hapur, një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve është i arritshëm për Realin. Për Benzemën, ajo afron një kurorë të pestë evropiane për të shkuar me atë që me siguri do të jetë edhe titulli i katërt në La Liga. Dhe tani për tani, ai po shijon momentet e tij.
Edhe
Hazardi flet për Yamalin: Ma kujton veten time
“Do ta kujtoj për një kohë të gjatë”, tha Benzema. “Këto janë netët magjike”.
Dhe nëse Mbappe i bashkohet Realit në verë, Benzema ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij se mund të luajë përkrah yjeve që madje mund ta kalojnë atë. Ai ishte i kënaqur duke luajtur si sulmuesi i dytë dhe ndonjëherë i treti prapa Ronaldos dhe Balet.