Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shoqata e futbollistëve me nismë për të ndihmuar Beqirin

Bordi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, në takimin që ka mbajtur të martën me kapitenët e skuadrave të Superligës, ka ndërmarrë hapa konkretë për t’i dalë në ndihmë portierit të Trepçës ’89, Arben Beqiri, që është diagnostikuar me tumor në lukth.

Në njoftimin e SHMDF-së thuhet se është marrë vendim që Beqiri të ndihmohet financiarisht në mënyrë të organizuar. Gjithashtu, kjo shoqatë ka apeluar te të gjithë dashamirët e futbollit që t’i bashkohen kësaj nisme për të ndihmuar Beqirin në këtë betejë shëndetësore.

“Bordi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës mbajti takimin informues me kapitenët e ekipeve të futbollit të Superligës së Kosovës, në lidhje me hapat konkretë që do t’i ndërmarrim për t’i dalë në ndihmë shokut dhe kolegut tonë Arben Beqiri, portier i klubit futbollistik Trepça ’89, i diagnostikuar me tumor në lukth. Në këtë takim u mor vendim që në mënyrë të organizuar ta ndihmojmë financiarisht Arbenin”, thuhet në njoftimin e shoqatës. Beqiri gjatë karrierës ka qenë pjesë e skuadrave, si Trepça, Drenica e Besa.

Me këtë të fundit ka fituar Kupën e Kosovës.