Artim Shaqiri nuk është më trajner i Shkëndijës së Tetovës. Shkëndija nuk ka nisur edicionin ashtu si kanë pritur drejtuesit e klubit dhe për këtë erdhi ndarja me trajnerin. Pas gjashtë xhirosh në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija është e treta me 11 pikë.
Ka tri fitore, dy barazime e një humbje. Struga, ekip tjetër shqiptar, tashmë ka bërë shkëputje duke i fituar gjashtë ndeshjet e deritashme.
“Klubi i futbollit Shkëndija njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me shefin e stafit teknik të kuqezinjve, Artim Shaqiri. Bashkëpunimi me trajnerin Shaqiri ndërpritet me marrëveshje të dyanshme, pasi klubi dhe trajneri kanë konsideruar se ndërprerja e bashkëpunimit në këtë moment është në të mirë të të dyja palëve. Me këtë rast, KF Shkëndija falënderon Artim Shaqirin për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën kuqezi, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen”, ka njoftuar Shkëndija. Shaqiri është prej emrave më të mëdhenj të futbollit në Maqedoni të Veriut.