Arsenali udhëheq në Premier League dhe ka siguruar fazën nokaut në Ligën e Evropës. Skuadra londineze është në moment shumë të mirë, ndërsa në formë kulmore është edhe Granit Xhaka.
Xhaka të enjten shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 të Arsenalit ndaj PSV Eindhovenit në Ligën e Evropës. Me këtë fitore, Arsenali siguroi kalimin në fazën tjetër të garave. I ka fituar katër ndeshjet në grupin A dhe udhëheq me 12 pikë. PSV-ja është e dyta me shtatë pikë.
Xhaka ka shfaqur një tjetër ndeshje të madhe për Arsenalin, ndërsa atë e ka kurorëzuar me golin e bukur në pjesën e dytë. Ishte kapiten i skuadrës në ndeshjen e shtyrë.
Tashmë 30-vjeçari ka arritur në shifrën e tri golave e tri asistimeve në 14 paraqitje këtë edicion.
“Fitorja na jep besim dhe na shtyn para. Kur fiton ndeshjet duhet të jesh i lumtur. Çdo gjë po shkon mirë për momentin, por për ne kjo nuk është befasi. Po punojmë shumë. Ne fitojmë dhe humbim si ekip dhe për momentin jemi shumë të rrezikshëm. Ne kemi dashur të avancojmë dhe jemi shumë të lumtur”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes.
Atij i është kthyer buzëqeshja tek Arsenali, ndërsa ka fituar sërish përkrahjen e tifozëve. Po ashtu po luan në pozitë më të avancuar dhe kështu po shënon më shumë gola se në të kaluarën.
“Në pjesën e parë kemi bërë shumë presion. Të gjithë që vijnë këtu luajnë ngjashëm me PSV-në. E kemi ditur se skuadra holandeze ka kualitet për të na mposhtur në kundërsulme. Por jemi paraqitur jashtëzakonisht mirë. Kemi krijuar rast pas rasti dhe nuk kemi pasur fat të shënojmë më herët. Por kemi pasur pasionin për ta mbajtur topin, të krijojmë shanse dhe mendoj se e kemi merituar fitoren”, ka shtuar Xhaka.
Edhe
Përgjigja me pesë fjalë e Granit Xhakës pas humbjes nga Liverpooli
Edhe trajneri Mikel Arteta është shprehur i lumtur për fitoren.
“Kemi pasur momente vërtet të mira dhe kemi dominuar ndaj një ekipi shumë të mirë. Na ka munguar pasimi final dhe goditja, por jemi të lumtur që kemi fituar ndeshjen dhe që jemi kualifikuar. Ky është vetëm hapi i radhës”, ka thënë Arteta.
Ai ka konfirmuar se javën tjetër synohet të sigurohet pozita e parë në grup. Vendi i parë dërgon në një të tetën e finales, ndërsa vendi i dytë në 1/16.