Xherdan Shaqiri ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij në mediume të mëdha botërore. Ka zbuluar shumëçka gjatë intervistave të shpeshta. Ka treguar edhe për dashurinë që ka për vendin e tij të lindjes - Kosovën.
Por, ai thuajse kurrë nuk ka folur për pjesëmarrjen në kampin që Kosova e mbajti nga 1 deri më 3 dhjetor të vitit 2008 në Basel të Zvicrës.
12 vjet më vonë, Edmond Rugova, atëbotë përzgjedhës i Kosovës, ka dhënë detaje për KOHËN lidhur me praninë e Shaqirit në kampin e parë të mbajtur jashtë kufijve të Kosovës për zbulimin e talenteve.
Shaqiri shihet qartë në një fotografi të bërë në kamp bashkë me shumë futbollistë të tjerë.
“Artist i vërtetë me top”, e kishte cilësuar Shaqirin selektori i atëhershëm Edmond Rugova. Ai në Zvicër ishte asistuar nga Blerim Ahmeti dhe Nehat Sabedini.
“Në të ardhmen do të dëgjojmë edhe për Xherdan Shaqirin, që është një artist i vërtetë me top”, kishte thënë Rugova më 4 dhjetor të vitit 2008, në një intervistë dhënë për “Kohën Ditore”.
Ahmeti insiston se ishte ai që e kishte njoftuar Shaqirin për kampin e mbajtur në Zvicër.
“E kam ftuar Xherdanin të jetë pjesë e kampit dhe për t’u bërë më madhështor, kontaktova edhe gazetarin e Basler Zeitung, Dominic Willimann, që atëbotë pati raportuar për kampion që Kosova po e mban në Zvicër”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.
Shaqiri, atëbotë 17-vjeçar, pati shkëlqyer në kampin e parë të Kosovës për zbulimin e talenteve, e ku morën pjesë lojtarë që bënin karrierë në klube evropiane.
Rugova tani thotë se Xherdani i tejkaloi parashikimet e tij. Doli edhe më i fortë sesa që e ka paraparë.
“E gjithë Argjentina krenohet me Lionel Messin, të mos e teprojmë, por e kam parë një artist, një lojtar që ka qasje të rrallë me topin, së paku në sytë e mi atëbotë. Ndoshta bëra një gabim, sepse vërtet Xherdani i tejkaloi dhe doli edhe më i fortë se që e kam paraparë”, thotë Rugova.
Shaqiri ishte pjesë e Baselit të Zvicrës dhe ftohej nga përfaqësuesja U-18 e Zvicrës. Qëllimi i kampit të Kosovës ishte evidentimi i futbollistëve të talentuar që do të mund të konkurronin për një vend në përfaqësuese. Rugova kishte besim se në Kosovë do të mburreshin me përfaqësuesen e saj në futboll.
Shumica e pjesëmarrësve në kamp ishin futbollistë të klubeve zvicerane. Por, pati edhe lojtarë që udhëtuan nga Gjermania, Italia, Franca, Suedia e Finlanda. Futbollistët që i kanë pëlqyer më së shumti seleksionuesit Rugova ishin Anel Rashkaj e Migjen Basha. Rashkaj vazhdon të luajë për Kosovën, derisa Basha ishte pjesë e Shqipërisë.
u organizua dhjetë muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë dhe ngjalli entuziazëm dhe shpresë të madhe për formimin e një përfaqësueseje të futbollit me shumë yje. Por ai proces zgjati shumë. Aq shumë saqë disa yje të zbuluara zgjodhën rrugë tjetër. Xherdani vazhdoi të zhvillohet te përfaqësuesja e Zvicrës, ku është lider për kohë të gjatë. Me Zvicrën, ai ka marrë pjesë edhe në kampionate botërore dhe evropiane. Ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, me Bayern Muenchenin dhe së fundi me Liverpoolin. Me këtë të fundit fitoi edhe titullin e kampionit të Anglisë.
“Përgatita një program ambicioz, një program gjithëpërfshirës për ndërtimin e përfaqësueses e cila do të ishte e denjë për garat ndërkombëtare. Natyrisht është dashur një përkrahje e cila ishte e vështirë dhe nuk arritëm ta krijojmë mundësinë e një përkrahjeje më të madhe siç është sot. Më lindi ideja të shkoj ta shikoj talentin tonë në diasporë. E mendova Zvicrën si vend me një numër të madh të shqiptarëve që gjatë kohës së keqe dhe luftës janë zhvendosur në Zvicër. Nëpërmjet disa kolegëve u organizuam për të parë se cila është situata me grupmoshat më të reja dhe disa futbollistë të rinj që luajnë në ligën e Zvicrës”, është shprehur Rugova.
Rugova thotë se Shaqiri nuk binte në sy jashtë fushës. Kjo, për shkak të shtatit, por në fushë, thotë ai, ishte dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm.
“Aty dalin shumë djelmosha me emra që më vonë do t’i njohë edhe bota. Por kush e dinte atëbotë. Ndër të tjera ishte edhe Xherdan Shaqiri. Një djalosh që ndoshta nuk të binte në sy para lojës. Një djalosh i qetë me një fizik mesatar, me trup jo impresiv. Stërvitjen e parë m’u dha mundësia ta luajmë pak. Kur e bëri kontaktin e parë thashë me vete se si një djalosh me kësi fiziku ka një nivel të jashtëzakonshëm në relacion me topin dhe situatat që i zgjidhte në fushë”.
Vizioni i Rugovës
Rugova e dinte se gjasat që Kosova ta formonte shpejt përfaqësuesen e saj ishin të vogla. Por e rëndësishme ishte që ai të shihte nga afër mundësitë që mund t'i ketë Kosova në të ardhmen.
“Xherdani ka ardhur me dëshirën dhe vullnetin e tij personal. Ajo që e pashë në stërvitjet në vijim ishte vërtet e jashtëzakonshme. Ishte bindja ime. Në Kosovë nuk dinim shumë për këta djem dhe këta emra. Xherdani dhe të tjerët veç sa i kishin marrë hapat e parë në zhvillimin e tyre në Zvicër. Por këtu nuk kemi pasur informata për zhvillimin e këtyre djemve”, tregon Rugova.
Rugova ka zbuluar se Shaqiri ishte fjalëpakë. Nuk fliste shumë. Por, për talent, nuk kishte diskutim.
“Ka qenë i ngurtë, unë isha personal me këta djem dhe ua bëja me dije se jam krenar. Ne jemi kosovarë dhe gjithmonë kur takohemi e dimë që na bashkojnë emocionet për kohërat që i kemi përjetuar, dashurinë për vendin, krenarinë e shumë gjëra të tjera. Prandaj, Xherdani nuk ka qenë fjalëshumë, por talenti i madh po. Jemi përshëndetur, por jo biseda sa për t’u ulur të pimë kafe, sepse ka qenë i vogël”, ka deklaruar Rugova.
Ish-seleksionuesit të Kosovës i mbetet merak që populli i Kosovës nuk ka mundësi që në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri ta shohë nga afër magjinë e Xherdanit.
“Më mbetet merak që ai nuk është pjesë e jona. Këtë vend e ndiej, kam kujtime të mëdha. Kisha pasur dëshirë, jo vetëm Xherdani, por edhe të tjerët që ta tregojnë talentin e tyre para publikut të Kosovës. Na mbetet zhig, por gjithmonë kudo që luan ai, ne e dimë që jemi të lidhur”, ka thënë Rugova.
Rasti i humbur
Historia e Shaqirit me Kosovën nuk përfundon me kaq. Shaqiri në tetor të vitit 2014 ishte gati të luante për Kosovën, thotë ish-përzgjedhësi Albert Bunjaki.
Bunjaki tregon se Shaqiri ka shprehur dëshirën të luajë për Kosovën në miqësoren kundër skuadrës zvicerane Wil. Miqësorja e luajtur në Zvicër u organizua nga vëllai i Xherdanit, Erdini, që njëherësh është edhe menaxheri i tij.
“Edhe pse kemi pasur drejtë të luajmë me shtetet e tjera që nga 5 marsi, ka pasur hezitim për të luajtur dhe natyrisht ne jemi munduar që t’i shfrytëzojmë mundësitë që ekzistojnë kudo në botë. Loja ndaj Wilit ka qenë e veçantë, ngase me këtë lojë është marrë vëllai i Xherdanit, Erdin Shaqiri. Për ne ka qenë interes i madh që sa më shumë të kemi ndeshje edhe pse ka pasur kritika që të mos luajmë me ekipe, por me kombëtare. Por tash po del se secila ndeshje e ka pasur rëndësinë e vet. Ka pasur interesim të Xherdanit, të paktën nga informatat e mia. E di që është kërkuar numri 10. Dëshira e tij ka qenë të luajë në këtë ndeshje miqësore dhe ta përfaqësojë të paktën në një ndeshje miqësore me një leje nga Zvicra, pasi pa lejen e saj do të ishte e pamundshme, por interesimi i tij ka ekzistuar”, ka thënë Bunjaki.
Por arsyeja se pse nuk iu realizua dëshira Shaqirit, sipas Bunjakit, lidhet me një leje që është dashur ta marrë ai nga Zvicra, shtet të cilin e përfaqëson që nga grupmoshat e reja. Shaqiri në fakt është futbollisti më i suksesshëm shqiptar.

“Informimin që e kam marrë, e kam pranuar në fund, një ditë para lojës. Ajo duhet bërë në mënyrë juridike, ndoshta për të mos pasur probleme është dashur të merret leje dhe tani a do ta kishte lejuar Zvicra të luajë apo jo për një lojë me Kosovën, një miqësore, që ndoshta do ta kishte lejuar, por ai ka shprehur dëshirën dhe pse nuk ka luajtur lidhet me çështjen administrative, është dashur ndoshta një proces pak më i gjatë”, është shprehur Bunjaki.
Kur Kosova fitoi të drejtën e paraqitjes në garat ndërkombëtare, pas pranimit në UEFA dhe FIFA, për Shaqirin dhe të tjerët ndryshuan rrethanat. Ai vazhdoi me Zvicrën dhe është ende pjesë e saj. Bunjaki thotë se do të vijë koha që të zbulohen më shumë detaje.
“Edhe Xherdani edhe Graniti, edhe të tjerët janë ende pjesë e përfaqësueses së Zvicrës, por ajo që është me rëndësi është se qëndrimi im dhe i Federatës ka qenë në një vijë. I kemi respektuar vendimet e tyre, nuk ka qenë e lehtë, por si selektor e kam kryer punën time. I kam vizituar në të shumtën e rasteve me stafin. Është një histori e gjatë që mendoj se pas një kohe do ta kuptojmë të gjithë më thellë”, ka thënë Bunjaki.
Bunjaki është përzgjedhësi i parë që drejtoi Kosovën në një cikël kualifikues, kurse Rugova ka kontribut për atë se nisi të vërë themelet e përfaqësueses. Rugova është menaxher i programit zhvillimor për futbollistët e rinj në FFK dhe për mision ka zbulimin e talenteve.
Kosova është pa Xherdanin, por me yje të tjera si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e shumë të tjerë.
Rugova vazhdon të mburret me të arriturat e Shaqirit, ashtu si edhe i gjithë fshati i Xherdanit, Zhegra.
Ai vazhdon të thotë me krenari se është shqiptar nga Kosova. Dhe në momente e bën krenar të gjithë vendin.
