Golden Eagle Ylli ka pushuar gjatë serisë çerekfinale të plejofit e do të pushojë më shumë edhe para finales së plejofit. Ylli të shtunën shënoi fitoren e tretë rresht ndaj Sigal Prishtinës në gjysmëfinale dhe tashmë është finalisti i parë i plejofit.
Finalisti i dytë nuk do të caktohet të paktën deri në mesjavë, kur Peja e Trepça e luajnë ndeshjen e katërt. Aktualisht rezultati është 2:1 në të mirë të Trepçës. Ndeshja e katërt luhet në Pejë.
Trepçës i duhet edhe një fitore, ndërsa ndeshja e pestë eventuale luhet në fundjavë në Mitrovicë.
Ylli si i pari dhe Trepça si e dyta, në gjysmëfinale të plejofit kaluan direkt.
Ylli fitoren e tretë ndaj Prishtinës e arriti në kryeqytet. Madje fitoi bindshëm 75:56. Bindës suharekasit ishin edhe në dy ndeshjet e para që i luajtën në shtëpi. Të paktën rezultatet e dëshmojnë këtë.
Por basketbollisti kroat i Yllit, Henrik Shirko, thotë se nuk bëhet fjalë për fitore të lehta.
“Uroj klubin, lojtarët, trajnerët dhe tifozët për kalimin në finale. Në të gjitha tri ndeshjet me Prishtinën ishim më të mirë dhe kemi fituar me meritë. Rezultati 3:0 bën të duket që ishte e lehtë. Por Prishtina ka shumë lojtarë të talentuar vendorë dhe trajner të mirë. Jemi munduar shumë në secilën ndeshje për të shënuar fitore”, ka thënë Shirko të dielën për KOHËN.
Ai është prej më të mirëve te Ylli.
Në ndeshjen e së shtunës, Shirko kontribuoi me gjashtë pikë, dhjetë kërcime e gjashtë asistime.
Sipas Shirkos, Ylli është i vendosur ta mbroj titullin e kampionit.
“Po e presim rezultatin e përballjeve të Trepçës me Pejën dhe se kur do të luajmë. Ylli ka përkrahje të shkëlqyeshme nga tifozët, trajnerë të shkëlqyeshëm, përbërje të fortë dhe shumë dëshirë për ta mbrojtur titullin. Gjithë vitin kemi punuar që të jemi në vend të parë, që të kemi përparësi në gjysmëfinale dhe nëse hyjmë në finale. Përbërja e Yllit është e mirë. Vendorët janë lojtarë e djem të shkëlqyer. Të huajt janë djem shumë të mirë dhe lojtarë kualitativë. Edhe stafi i trajnerëve është i nivelit të lartë”, ka theksuar Shirko.