Sport

Shehit u kthye në basketbollin kosovar për një tjetër “mision shpëtimi”

Trajneri nga Turqia, Serhat Shehit, është kthyer në basketbollin e Kosovës, sërish me një synim të vështirë për ta arritur deri në fund të edicionit.

Javën e shkuar Shehit është emëruar trajner i skuadrës së Rahovecit dhe misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Ai është kthyer në Kosovë për ta ndihmuar Rahovecin që të ngrihet në tabelë dhe të sigurojë pjesëmarrjen në garat e plejofit.

Edicionin e shkuar, Shehit arriti ta shpëtojë Trepçën nga rënia në një kategori më poshtë pas ndeshjeve të plejautit. Ai pothuajse në të njëjtën kohë e mori ekipin nga Mitrovica edicionin e shkuar, që gjithashtu kishte start të dobët. Shehit tregon që puna e bërë te Trepça është bërë sebep që t’i besohet posti i trajnerit te Rahoveci. Në këtë post Shehit e ka zëvendësuar grekun, Fotis Takianos, të larguar muajin e shkuar. Rahoveci këtë edicion ka startuar dobët. Nga 11 ndeshje të zhvilluara në elitën e basketbollit kosovar ka vetëm dy fitore karshi nëntë humbjeve. Zë vendin e parafundit në tabelë me 13 pikë, dy më shumë se Drita që është e fundit pa fitore.

Drita është ekipi i vetëm që Rahoveci e ka mposhtur dy herë këtë edicion. “Vreshtarët” për fitore nuk dinë as në Ligën Unike.

Shehit deri më tani e ka udhëhequr ekipin në dy ndeshje, që i ka humbur. Por po sheh përmirësime dhe beson se Rahoveci do të ngrihet gradualisht.

“Sezonin e shkuar sa isha te Trepça, të gjithë e panë reagimin e ekipit dhe jam i lumtur që e arritëm synimin që e kishim. Tani jam këtu te Rahoveci dhe i gatshëm për ta ndihmuar ekipin. Ndoshta Rahoveci synim e ka plejofin, por fillimisht do të punojmë që ta përmirësojmë nivelin e lojës, të fillojmë me fitore dhe pastaj do të shohim. Natyrisht që dëshira është që të luftojmë për pozitat e para, por ende ka kohë. Me rëndësi është se të gjithë janë të përkushtuar dhe po ashtu kemi edhe përkrahjen e tifozëve. Së bashku do t’ia dalim”, ka thënë Shehit të premten për KOHËN.

“Sezonin e shkuar të gjithë që ishim te Trepça e shpëtuam klubin nga rënia. Edhe këtë sezon e kam një mision pothuajse të njëjtë dhe jam optimist se do të bëjmë gjëra të mëdha. Mirëpo, duhen vetëm punë e durim”.

Shehit thotë se tashmë e njeh mirë Superligën e Kosovës dhe pranon se ky edicion është më i fortë, sesa i shkuari, pasi të gjitha skuadrat janë forcuar. Ai e ka parasysh se Rahoveci vitet e fundit rregullisht është paraqitur në plejof dhe pati dalë nënkampion i Kosovës, kështu që me dëshirën më të madhe e ka pranuar një sfidë të tillë.

“Rahoveci është një tregim i mirë i basketbollit të Kosovës dhe gati në çdo sezon ka marrë pjesë në plejof prej se është pjesë e Superligës. I kam parasysh synimet e larta të klubit këtë sezon. Kam rastin ta dëshmoj veten edhe te Rahoveci dhe besoj se me disa ndryshime do të vijnë ditët e mira”, shtoi Shehit. “Në fakt, pres një rikthim të fuqishëm edhe pse sezoni është i gjatë dhe sigurisht i fortë me shumë skuadra të mira e të përforcuara”.

Shehit thotë se bazuar në ekipin që posedon, Rahoveci nuk meriton të jetë në pozitën aktuale në tabelë, por shpreson për një përfundim të mirë të sezonit, si në Kosovë ashtu edhe në Ligën Unike.

“Nuk e di se si do të jetë fundi, por besoj se do të jetë i mirë. Unë gjithmonë i shoh gjërat me pozitivitet dhe pres një reagim të tillë edhe prej lojtarëve të cilët po angazhohen të kthehemi te fitoret sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi Shehit.