Prishtinë, 8 mars – Forma e mirë e Trepçës në xhirot e fundit të Superligës së Kosovës në basketboll nuk e ka befasuar aspak trajnerin Serhat Shehit. Madje, trajneri nga Turqia beson dhe pret që Trepça të vazhdojë me këtë ritëm deri në fund të edicionit, duke shkuar ndeshje pas ndeshjeje.
KB Trepça kur e nisi edicionin synim e kishte mbetjen në elitë. Por seria e rezultateve të mira në ndeshjet e fundit ka bërë që ekipi nga Mitrovica të ngjitet gradualisht në tabelë. Pesë fitore rresht i kanë mundësuar Trepçës të tubojë 31 pikë dhe të renditet në pozitën e gjashtë në tabelë, që e dërgojnë skuadrën mitrovicase në garat e plejofit. Natyrisht nëse e mban këtë vend deri në fund të pjesës së rregullt, në të cilën kanë mbetur edhe gjashtë xhiro.
Seria pozitive e Trepçës nisi në xhiron e 18-të kundër Vëllaznimit për të vazhduar me fitore ndaj Pejës, Rahovecit, Ponte Prizrenit e Bashkimit. Në fakt, në tetë duelet e fundit skuadra nga Mitrovica ka vetëm një humbje, kurse deri më tani i ka zhvilluar 22 ndeshje, duke regjistruar nëntë fitore karshi 13 humbjeve. Trajneri Shehit ka thënë se po punojnë për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë.
“Prejse kam ardhur po mundohemi të ndërtojmë një ekip si familje, sepse dihet që kur je si familje, atëherë mund të bësh gjëra të mëdha. Dhe ne tashmë këtë e kemi arritur, por ende po kërkojmë që të bëhemi fitues në çdo stërvitje dhe ndeshje që e kemi. Pra, ne po vazhdojmë me synimin e njëjtë duke tentuar që të përmirësohemi stërvitje pas stërvitjeje dhe këtë pastaj do ta shohim dhe shijojmë së bashku”, është shprehur Shehit, i cili në postin e trajnerit ka zëvendësuar Neven Plantakun, me të cilin Trepça e nisi sezonin.
Megjithatë, Shehit ka pranuar se gara nuk do të jetë e lehtë aspak deri në fund të sezonit, duke pasur parasysh se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe pothuajse janë të barabarta.
“Të gjithë kanë sjellë lojtarë dhe trajnerë të rinj, kështu që nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo ne po shikojmë punën tonë, po punojmë fort dhe pastaj në fund do të shohim se çfarë kemi bërë”, shtoi ai.
I kënaqur me rikthimin e fuqishëm të Trepçës është edhe drejtori sportiv i klubit nga Mitrovica, Izet Tahiri. Ai insiston se ka pritur rezultate të mira duke u bazuar në punën e mirë të kryesisë së klubit, trajnerit dhe angazhimit të basketbollistëve si në stërvitje ashtu edhe ndeshje. Madje, ai thotë se nëse vazhdohet me këtë ritëm, nuk përjashtohet mundësia që Trepça të jetë befasia e këtij sezoni.
Tahiri ka shtuar se fillimisht do të fokusohen për të siguruar pjesëmarrjen në garat e plejofit, ndonëse ka insistuar se nuk kërkohet me çdo kusht.
“Sa i përket rikthimit të fuqishëm, në njëfarë forme është pritur duke marrë për bazë organizimin e mirë të klubit, duke filluar nga kryesia, puna e mirë e trajnerit, angazhimi maksimal i lojtarëve në stërvitje e që pastaj reflektoi edhe në ndeshje. Kemi pritur se do të rikthehemi, pavarësisht se e kemi ditur që nuk do të jetë lehtë”, është shprehur Tahiri. “Synimi i klubit në fillim të sezonit ishte mbetja në elitën e basketbollit dhe ne jemi të kënaqur nëse e arrijmë këtë deri në fund të kampionatit. Mirëpo duke pasur parasysh formën e mirë të lojtarëve, organizimin e klubit, mbështetjen e tifozëve, normalisht se do të luftojmë deri në fund, e pse jo edhe të jemi befasia e ligës. Andaj ne tani kemi synim plejofin por nuk e kemi patjetër”.
Ndeshjen e radhës në kampionat Trepça e luan në vikend në palestrën “Mintatori” kundër Sigal Prishtinës. Skuadra mitrovicase në tri ndeshjet e fundit që i ka luajtur në shtëpi ka regjistruar po aq fitore.
Për kohë të gjatë “xehetarët” ishin të fundit në tabelë.