Sport

Ndeshje interesante premtohen për çerekfinale të Kupës

Prishtinë, 2 shkurt – Katër fitoret në pesë ndeshjet e fundit kampionale i kanë dhënë shpresë trajnerit të Trepçës, turkut Serhat Shehit, për të arritur diçka më shumë në garat e Kupës së Kosovës në basketboll. Turneu final i Kupës së Kosovës do të nisë të mërkurën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, kurse Trepça do ta luajë ndeshjen hapëse.

Në çerekfinale të Kupës, skuadra nga Mitrovica do të përballet me Rahovecin, ndeshje kjo që nis në orën 16:00.

Trajneri i Trepçës, Shehit, pranon se do të dëshironte të paraqitej në finale të Kupës, e paraparë të zhvillohet të dielën, por thotë se ekipi i tij duhet të shkojë hap pas hapi, fillimisht duke e siguruar kualifikimin në gjysmëfinale me fitore ndaj Rahovecit.

Shehit të martën për KOHËN ka pranuar se Rahoveci nuk është aspak kundërshtar i lehtë dhe ka paralajmëruar basketbollistët e tij se duhet të japin më të mirën nga vetja për të vazhduar tutje në “Final 8”.

Edicionin e shkuar Trepça dhe Rahoveci u patën përballur në të njëjtën fazë, me “vreshtarët” që eliminuan mitrovicasit në palestrën “Mizahir Isma”, ku ishte mbajtur turneu i Kupës.

“Natyrisht, dëshira e të gjithëve në klub është që të triumfojmë në Kupë për shkak se kjo është mënyra më e shkurtër për të arritur te trofeu. Megjithatë, është herët të flitet për një gjë të tillë për shkak se në ndeshjen e parë na pret një kundërshtar i vështirë. Ne kemi synimet tona dhe besoj të kemi një paraqitje të mirë për ta fituar ndeshjen. Gjithashtu besoj se lojtarët do të japin më të mirën nga vetja duke u angazhuar maksimalisht si në ndeshjet e fundit kampionale”, ka thënë Shehit. “Rahoveci është një kundërshtar i rrezikshëm me një ekip të fortë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Do ta marrim ndeshjen me seriozitetin më të madh dhe shpresoj të arrijmë të kualifikohemi në fazën tjetër që do të jetë shumë e rëndësishme për ne”.

Trepça zë vendin e parafundit në tabelë me 25 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se skuadra e Rahovecit që renditet e katërta.

Për dallim prej Trepçës që është në moment të mirë, Rahoveci në katër duelet e fundit ka regjistruar po aq humbje. Megjithatë, trajneri i Rahovecit, Bujar Loci, shpreson se ndeshja çerekfinale kundër Trepçës do të jetë një pikë kthese për ekipin e tij që po kalon nëpër një krizë rezultatesh. Loci ka insistuar se Rahoveci është i gatshëm për “Final 8” dhe pret që ekipi i tij t’i kthehet fitores, ndonëse ka pranuar se Trepça nuk duhet nënçmuar për asnjë moment. Në dy ndeshjet e luajtura në Superligë mes këtyre dy ekipeve, ka triumfuar Rahoveci.

“Besoj se është momenti i duhur të kthehemi te fitorja, edhe pse nuk do të jetë lehtë kundër Trepçës. Mbi të gjitha kjo është vetëm një ndeshje e kupës dhe gabimi më i vogël do të kushtojë me eliminim. Ne jemi përgatitur mirë dhe e kemi parasysh ecurinë e fundit në kampionat, por besoj në kthim të rezultateve pozitive. Pres një lojë të fortë dhe angazhim të madh nga ekipi im për të vazhduar tutje në kupë”, u shpreh Loci.

Tri orë pas ndeshjes ndërmjet Rahovecit dhe Trepçës do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër çerekfinale, në të cilën do të përballen Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi (19:00). Ylli është lider në kampionat me 23 pikë, sa i ka edhe Ponte Prizreni në pozitën e dytë, derisa skuadra e Bashkimit ka tri pikë më pak dhe zë vendin e pestë në tabelë. Në kampionat Ylli e ka mposhtur Bashkimin në Suharekë derisa Bashkimi i është revanshuar në Prizren.

Trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra, ka pranuar se ndeshja e kupës dallon prej asaj në kampionat dhe ka shtuar se synimi është për ta eliminuar Yllin, që mbetet favoriti kryesor për të triumfuar në Kupën e Kosovës.

“Jemi paksa të lodhur nga ngarkesa e ndeshjeve në kampionat, por në kupë është gjithçka e mundur për shkak se arrihet shumë më shpejt te trofeu i parë i sezonit. Sigurisht Ylli është favorit, sepse ka një ekip të përforcuar me të huaj e vendorë, por në kupë secili ekip ka mundësinë të fitojë dhe favoriti mbetet vetëm në letër. Ne do të dalim në parket për ta dhënë më të mirën dhe për ta eliminuar Yllin pasi është e rëndësishme të shkojmë sa më lart dhe nëse na jepet mundësia ta rrëmbejmë edhe trofeun”, ka shtuar Bajra.

Fituesi i duelit mes Yllit dhe Bashkimit do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes ndërmjet Rahovecit dhe Trepçës. Kjo është gjysmëfinalja e parë dhe është e paraparë të zhvillohet të premten prej orës 16:00, ndërsa gjysmëfinalja e dytë do të luhet prej orës 19:00, në të cilën do të takohen fituesit e ndeshjeve të tjera çerekfinale: Ponte Prizreni – Vëllaznimi dhe Peja – Sigal Prishtina. Këto ndeshje çerekfinale luhen të enjten prej orës 16:00, përkatësisht 19:00.

Te Ponte Prizreni insistojnë se synim është triumfi në kupë dhe për këtë së fundmi kanë angazhuar qendrën Garrius Holloman. Holloman do të luajë për Ponte Prizrenin vetëm në ndeshjet e kupës për ta zëvendësuar të lënduarin Josh Martin.

“Për shkak të telasheve me lëndime, e kemi marrë Hollomanin vetëm për kupë. Nuk e di se si do të përshtatet, por ne si ekip nuk heqim dorë assesi nga synimi për ta fituar Kupën që do të jetë trofeu i parë në histori të klubit tonë”, ka thënë trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati.

Ndërkohë, Federata e Basketbollit e Kosovës të martën ka konfirmuar se ndeshjet e “Final 8” do të zhvillohen pa praninë e tifozëve. FBK-ja edhe një herë ka marrë përgjigje negative nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, prej të cilave kishte kërkuar lejimin e një numri të caktuar të shikuesve në tribuna duke respektuar të gjitha masat anti-COVID.

Ndeshjet çerekfinale

E mërkurë

Rahoveci – Trepça (16:00)

G.E. Ylli – Bashkimi (19:00)

E enjte

P. Prizreni – Vëllaznimi (16:00)

Peja – S. Prishtina (19:00)