Prishtinë, 18 janar – Kthimi i Drilon Hajrizit te Trepça, pas më shumë se shtatë vjetësh, bëri bujë. Por që në debutim ai dëshmoi rëndësinë që e ka për ekipin nga Mitrovica.
Në ndeshjen e parë zyrtare, Hajrizi udhëhoqi Trepçën drejt fitores në udhëtim kundër Bashkimit (97:91), me të cilën skuadra mitrovicase i dha fund serisë prej dhjetë humbjeve rresht. Hajrizi ishte më i merituari për këtë fitore dhe u zgjodh MVP i xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Ai për 34 minuta sa luajti kundër Bashkimit të shtunën, regjistroi “double-double” prej 25 pikëve e 14 kërcimeve, kurse pati edhe pesë asistime. Ishte më efikasi te Trepça që përkundër fitores mbetet e fundit në tabelë me 18 pikë të mbledhura.
Hajrizi është i kënaqur me kthimin e tij triumfal te Trepça dhe thotë se brenda një kohe të shkurtër “xehetarët” do të ngjiten në tabelë, pasi synimi kryesor është futja në garat e plejofit. Edhe këtë edicion sikurse në të shkuarin, gjashtë skuadrat e para të pjesës së rregullt do të vazhdojnë garat në plejof.
“Natyrisht që është ndjenjë e mirë të kthehesh me fitore në klubin ku je zhvilluar si lojtar. Por, shpresoj që ky është vetëm fillimi i një serie të rezultateve pozitive. Ende asgjë nuk është arritur dhe ne duhet të punojmë që të largohemi nga pozita aktuale, të cilën Trepça nuk e meriton”, është shprehur Hajrizi të hënën për KOHËN. “Objektivi kryesor është të sigurojmë një vend në plejof dhe besoj se do t’ia dalim për shkak se kemi një ekip solid”.
Hajrizi thotë se arsyeja që e shtyri të kthehet te Trepça ishte renditja në tabelë. Sipas tij, pozita aktuale nuk është fytyra e vërtetë e një ekipi që ka emër dhe histori në basketbollin kosovar. Ai insiston se së shpejti Trepça do të kompletohet dhe do të jetë e gatshme për t’i sfiduar të gjitha ekipet deri në fund të këtij edicioni.
Në ndeshjen e fundit, Trepçës iu lëndua plejmejkeri amerikan, Erving Walker, që së shpejti do të zëvendësohet me një tjetër lojtar, kurse u angazhua edhe qendra nga Greqia, Stavros Toutziarakis (210 cm). Në krye të ekipit është trajneri nga Turqia, Serhat Shehit, që zëvendësoi Neven Plantakun.
“Për këtë arsye jam kthyer te Trepça, pasi i jam nevojitur në këto momente dhe jam shumë krenar. E rëndësishme është se nuk kemi presion nga drejtuesit e klubit për të ndjekur ndonjë trofe, por nëse na jepet mundësia, atëherë do të reagojmë. Së shpejti do të kompletohemi në të gjitha pozitat për ta ndjekur synimin tonë”, është shprehur Hajrizi. “Ne secilën ndeshje do të angazhohemi maksimalisht dhe do të futemi për të fituar, gjë që është shumë e rëndësishme”.
Hajrizi ka pranuar se nuk do të jetë i lehtë misioni i tij me Trepçën për shkak se në pjesën e dytë të këtij edicioni të gjitha ekipet janë përforcuar dhe janë të barabarta. Ai thotë se stinori pranveror do të jetë shumë më interesant dhe më i fortë sesa ai vjeshtor. Kur e thotë këtë, Hajrizi bazohet edhe në angazhimin e reprezentuesve të Kosovës, Erjon Kastrati, Gëzim Morina e amerikanit të natyralizuar Divine Myles.
“Përfundimisht do të jetë shumë vështirë dhe në asnjë ndeshje nuk guxojmë të futemi të relaksuar. Thjesht nuk ka favoritë dhe nuk është befasi nëse ndonjë ekip pëson humbje nga tjetri. Pjesa e dytë do të jetë shumë e fortë për shkak se të gjitha ekipet janë forcuar dhe kjo është shumë me rëndësi për shkak se basketbolli i Kosovës ka pasur nevojë për një sinjal të tillë pas pauzës së gjatë shkaku i përhapjes së koronavirusit”, është shprehur Hajrizi.
Hajrizi ishte pjesë e Trepçës deri në vitin 2013, duke fituar titullin dhe kupën e Kosovës, që janë edhe trofetë e fundit për ekipin nga Mitrovica. Trepça pjesëmarrjen për këtë edicion në Superligë e siguroi nëpërmjet ndeshjeve të plejautit. Pas largimit nga Trepça, Hajrizi luajti te Prishtina, Bashkimi, Peja dhe në Japoni.
Trepça aktualisht është në garë me Vëllaznimin e Sigal Prishtinën për vendin e gjashtë. Vëllaznimi është i gjashti me 19 pikë sa i ka edhe Prishtina në vendin e shtatë. Pikërisht me Prishtinën, Trepça takohet në mesjavë në kuadër të javës së 16-të. Ndeshja luhet në Prishtinë.