Rahoveci të hënën ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Bëhet fjalë për trajnerin e tretë të këtij edicioni. Dhe “vreshtarët” shpresojnë që me maqedonasin Lupço Malinkov të kompensojnë pikët e lëshuara në pjesën e parë të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Malinkov zëvendëson turkun Serhat Shehit, për të cilin klubi rahovecas tha se ka kërkuar shkëputjen e kontratës për arsye familjare. Rahoveci në pjesën e parë të këtij edicioni nuk ka pasur rezultatet e mira. Para Malinkovit e Shehitit ishte greku Fotis Takianos, i cili sipas krerëve të klubit e ka sjellë Rahovecin në situatë jo të mirë, ku pjesën e parë të kampionatit e ka mbyllur në pozitën e parafundit me 17 pikë nga 14 ndeshje.
Rahoveci është në zonën e plejautit dhe është katër pikë larg Sigal Prishtinës që mban pozitën e gjashtë. Katër pikë janë goxha shumë në basketboll. Rahoveci ka vetëm tri fitore në elitë, dy prej të cilave i arriti ndaj Dritës, ekipit të fundit në tabelë.
“Në fakt planet tona që i kishim para fillimit të sezonit kanë ndryshuar shumë pas rezultateve që ishin të papritura. Për këtë e ka marrë përgjegjësinë trajneri Takianos, të cilit ia besuam në fillim projektin, por që nuk doli të ishte i suksesshëm”, ka thënë kryetari i Rahovecit, Alban Rama. “Tani kemi marrë trajnerin e ri, Lupço Malinkov, pas largimit të Serhat Shehitit dhe do të mundohemi të rikuperohemi në pjesën e dytë”.
Te Rahoveci besojnë se do të kenë rezultate dukshëm më të mira, pasi në krye të ekipit kanë vënë një trajner që ka përvojë në basketbollin e Kosovës. Malinkov edicionin e shkuar ishte trajner i dy klubeve. Në pjesën e parë e udhëhoqi Vëllaznimin, përpara se ta marrë drejtimin e Sigal Prishtinës në pjesën e dytë të kampionatit 2020/2021.
Rahoveci të hënën ka nisur stërvitjet, por pa trajnerin e ri, i cili të martën do ta nisë edhe zyrtarisht punën. Ndeshjen e parë skuadra vreshtare e luan javën tjetër. Në Ligën Unike e pret Tiranën. Edhe në Ligën Unike, Rahoveci nuk ka pasur rezultate të mira. Ka shënuar dy fitore karshi pesë humbjeve në shtatë xhiro dhe zë vendin e gjashtë në tabelë me nëntë pikë.
“Përkundër që nuk kemi pasur rezultate të pritura në pjesën e parë, ne nuk jemi dorëzuar për pjesën e dytë dhe do të synojmë të bëjmë më të mirën”, ka insistuar Rama.
Në afatin kalimtar të dimrit, që ishte për lojtarë vendorë, Rahoveci ka bërë vetëm një transferim. Ka rikthyer Edmond Kryeziun, që ishte te Bashkimi i Prizrenit.
“Mendoj se kemi fond të lojtarëve dhe në afatin kalimtar e morëm vetëm një vendor, pasi sa u përket të huajve do ta diskutojmë me trajnerin. Tani për tani mbetet ekipi që e kishim në pjesën e parë, eventualisht me ndonjë ndryshim nëse kërkon trajneri”, ka shtuar Rama. “Do të shohim si do të shkojnë gjërat dhe pastaj do të reagojmë”.
Rama ka pranuar se te Rahoveci nuk qëndrojnë mirë financiarisht, gjë që, sipas tij, ka të bëjë me vonesat e sponsorëve. Sipas udhëheqësit të klubit, Rahoveci po i vuan pasojat e ndërprerjes së edicionit 2019/20 në muajin mars për shkak të pandemisë COVID-19.
“Ndërprerja e kampionatit në vitin 2020 për shkak të pandemisë na ka kushtuar dhe na ka goditur shumë. Kemi pasur kontrata të hapura me lojtarët, ku disa kanë pranuar të negociojnë e disa të tjerë jo. Kështu që klubi është ende duke i kryer ato obligime dhe për këtë arsye nuk mund të them se qëndrojmë mirë financiarisht. Kjo edhe për shkak të sponsorëve, sepse nuk është lehtë të gjenden. Telashe financiare ka pothuajse çdo klub në Kosovë, kështu që edhe ne po mundohemi t’i kryejmë të gjitha obligimet që tashmë i kemi afruar dhe për t’u bërë gati për edicionin e ri njëkohësisht”, ka thënë Rama.
Rahoveci është ekipi i vetëm në Superligën e Kosovës që ka ndërruar dy trajnerë dhe me të tretin po e nis vitin 2022. Të gjitha ekipet e tjera janë me trajnerët që i kishin të angazhuar para fillimit të këtij edicioni.