Sport

Rënia e madhe e Rahovecit

Te skuadra e Rahovecit kanë shpresuar që pas shtatë xhirove të luajtura në Superligën e Kosovës në basketboll të jenë në pjesën e epërme të tabelës dhe kështu edhe në mesin e pretenduesve për trofe këtë edicion.

Mirëpo, situata është krejtësisht ndryshe dhe “vreshtarët” pranojnë se as që kanë pritur një start që është më i dobëti në histori të klubit, prej se garon në elitë (2016/17). Humbja e fundit në shtëpi nga Trepça (103:75) ishte e pesta rresht dhe e gjashta në total këtë edicion në shtatë ndeshje të luajtura. Me vetëm një fitore, dhe atë ndaj Dritës inferiore, Rahoveci renditet i parafundit në tabelë me vetëm tetë pikë të mbledhura.

Rezultatet e dobëta sollën largimin e trajnerit nga Greqia, Fotis Takianos, i cili ishte në krye të skuadrës edhe edicionin e shkuar, në pjesën e dytë të kampionatit. Takianos u largua pas xhiros së pestë, kurse në klub insistojnë se do të vazhdojnë me asistentin e tij, Illmen Bajra, për t’u kthyer te rezultatet pozitive. Prej gjashtë humbjeve, Rahoveci tri i ka pësuar me mbi 100 pikë të pranuara.

“Nuk i kemi pritur aspak këto rezultate pasi ekipi nuk është i dobët. Mirëpo, realisht ka qenë projekti i trajnerit Takianos që ka dashur të ndërtojë ekip për këtë sezon. Ai ka zgjedhur lojtarët që ka dashur dhe i ka pasur duart e lira. Lojtarët janë marrë për cilësi, por nuk dolën të tillë. Dhe pas këtyre rezultateve vendosëm që të bëjmë ndryshime duke filluar nga trajneri që ka marrë përgjegjësinë”, ka thënë kryetari i Rahovecit, Alban Rama.

“Ndryshime do të ketë edhe në ekip, por duhet të durojmë deri në dhjetor për shkak se tani nuk është koha e përshtatshme për të bërë ndryshime. Shpresoj që deri në fund të vitit të dalim nga kjo krizë me trajnerin Bajra që do të vazhdojë punën, pasi vlerësojmë se është i duhuri”.

Rama ka paralajmëruar rikthim të fuqishëm të Rahovecit në pjesën e dytë të këtij kampionati, dhe ka thënë se synimi është fillimisht të sigurohet një vend në plejof. Aktualisht Rahoveci në radhët e veta ka katër lojtarë të huaj.

I pari i Rahovecit ka kërkuar nga tifozët që të kenë durim. Ka thënë se nuk është aspak lehtë që Rahoveci çdo edicion ta ngritë nivelin.

Rahoveci vetëm në edicionin debutues, 2016/17, nuk ishte në plejof, ndërsa në edicionet e tjera vazhdimisht ka qenë ndër katër ekipet e para. Në edicionin 2018/19 doli nënkampion i Kosovës.

“Besoj se në pjesën e dytë do të kthehemi dhe do ta harrojmë këtë krizë. Natyrisht, synimi është fillimisht të futemi në plejof dhe pastaj të shohim. Po ashtu edhe tifozët duhet të kenë durim dhe të kuptojnë se nuk është lehtë që secilin sezon ta mbajmë rritjen e nivelit pasi edhe konkurrenca këtë edicion është shumë e fortë. Ekipi nuk është i dobët por tashmë dëmi është shkaktuar dhe po punojmë e po angazhohemi që ta riparojmë. Për pjesën e dytë do të jemi gati”, insistoi Rama.

Në xhiron tjetër skuadra e Rahovecit e pret në shtëpi Prizrenin-16. Rahoveci do të përballet në udhëtim me Tiranën, të shtunën, në kuadër të xhiros së parë të Ligës Unike.