Xherdan Shaqiri nuk po e kalon formën më të mirë në fillim të këtij sezoni në futbollin amerikan, njësoj si skuadra e tij Chicago Fire në ligën MLS.
Chicago Fire është në fund të tabelës në Konferencën e Lindjes, me dhjetë pikë të tubuara nga 11 ndeshje të luajtura këtë edicion. Por, ylli i Përfaqësueses së Zvicrës është në krye të një tabele tjetër.
Të mërkurën shoqata e futbollistëve të ligës MLS publikoi pagat e lojtarëve. Me 7.35 milionë dollarë përfitime, plus bonuset e tjera që sillen rreth 800 mijë dollarë, Shaqiri është përfituesi më i madh i elitës së futbollit amerikan. E me këtë pagë Shaqiri bëhet futbollisti më i paguar në histori të ligës MLS, ka shkruar “Washington Post”. Dhe këto shifra thyejnë rekordin e një legjende të futbollit.
Deri tani ylli tjetër që përfaqëson Suedinë, 40-vjeçari Zlatan Ibrahimoviq, i cili ishte pjesë e skuadrës LA Galaxy nga viti 2018 deri në vitin 2019, ishte më i paguari në ligën MLS. Ibrahimoviqi përfitoi plot 7.2 milionë dollarë, për aq sa luajti në SHBA.
Megjithatë, 30-vjeçari Shaqiri nuk do ta mbajë këtë rekord për një kohë të gjatë. Në muajin korrik të këtij viti futbollisti i Napolit që në verën e vitit të kaluar e fitoi edhe Kampionatin Evropian me Italinë, 30-vjeçari tjetër Lorenzo Insigne do t’i bashkohet skuadrës Toronto FC. Italiani pritet të përfitojë të paktën 12.5 milionë dollarë nga skuadra kanadeze. Kështu që, Insigne pritet ta tejkalojë shifrën e të ardhurave të Shaqirit. Futbollisti me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit, Shaqiri, ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim në nëntë ndeshjet e zhvilluara për Chicagon qëkur u transferua në dimër. Ai iu bashkua ekipit amerikan nga Lyoni i Francës në fillim të shkurtit dhe për ekipin francez që iu bashkua në verën e vitit të shkuar luajti vetëm për gjashtë muaj.
Ndërkohë, Shaqiri do të jetë pjesë e skuadrës së Chicago Fire deri në vitin 2024. Shaqiri karrierën e filloi te skuadra e Baselit. Në tri edicionet e para e fitoi po aq herë kampionatin helvetik të futbollit, ndërsa e fitoi edhe Kupën e Zvicrës në sezonin 2011/12. Kur Bayerni e fitoi tripletën për herë të parë në histori të klubit, në skuadër ishte edhe futbollisti shqiptar, në edicionin 2012/13. Në total, Shaqiri fitoi tetë trofe të mëdhenj me bavarezët në tri sezone. Karrierë ka bërë edhe te skuadra e Interit dhe Stoke Cityt, para se të transferohej te Liverpooli. Me fanellën e Liverpoolit, Shaqiri e fitoi titullin e kampionit në sezonin 2018/19. Për Liverpoolin ishte titulli i parë në 30 vjet. Shaqiri më pas e fitoi Ligën e Kampionëve dhe në Superkupën e Evropës. Nga viti 2009 deri në momentin kur iu bashkua skuadrës Chicago Fire, Shaqiri kishte luajtur në 421 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa kishte 17 trofe të fituar gjithsej. Karrierë të bujshme ka bërë edhe te Përfaqësuesja e Zvicrës. Me përfaqësuesen helvetike ka luajtur mbi 100 ndeshje, ndërsa ka luajtur në tri Kupa të Botës rresht, në vitet 2010, 2014 dhe 2018. Paraqitje ka bërë edhe në dy kampionate evropiane, në vitet 2016 dhe 2020. Në fund të këtij viti, me Zvicrën do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.