Pavarësisht të arriturave në karrierën e pasur si futbollist, Xherdan Shaqiri ka përsëritur dëshirën për t’u paraqitur ende në ngjarje të mëdha me Zvicrën.
Shaqiri të dielën foli në konferencën për shtyp para ndeshjes me Rumaninë, ku u paraqit bashkë me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin.
Zvicra e pret Rumaninë në Luzern, në ndeshjen që luhet të hënën prej orës 20:45. Ndeshja i takon Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024. “Helvetikët” janë në pozitën e parë me nëntë pikë nga tri ndeshje. Rumania ka shtatë pikë në vendin e dytë. Pra ndeshja është derbi i grupit. Në pozitën e tretë është Izraeli me katër pikë, kurse Kosova në pozitën e katërt ka tri pikë. Pasojnë Andorra me një pikë dhe Bjellorusia pa pikë.
Shaqiri ka vlerësuar se Zvicra është favorite ndaj Rumanisë.
“Rumania ka ekip të mirë, me lojtarë që luajnë në liga të mira. Por ne jemi në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në Evropianin në Gjermani. Unë gjithmonë dua të shënoj gola. Por gjëja më e rëndësishme është ta ndihmoj ekipin në paraqitje. Gjithmonë është e rrezikshme kur e nënvlerëson kundërshtarin. Ekipet e vogla janë rritur dhe janë zhvilluar. Megjithatë, ne jemi mjaftueshëm të fortë në aspektin mental dhe e marrim çdo ndeshje me seriozitetin më të lartë”, është shprehur Shaqiri.
Zvicra është favorite e madhe për vendin e parë në grup. Rumania vlerësohet se duhet të luftojë me Kosovën e Izraelin për vendin e dytë. Rumunët barazuan pa gola me Kosovën të premten në “Fadil Vokrri”.
Shaqiri më pas është pyetur se çfarë dëshiron të arrijë më shumë me Përfaqësuesen e Zvicrës. Ai ka luajtur në shumë Kampionate Botërore e Kampione Evropiane.
“Ëndrrat janë të mëdha. Të jem në fushë me Përfaqësuesen e Zvicrës është gjëja më e mirë për mua. Më pëlqen loja dhe gjithmonë dua të kualifikohem për Kupë të Botës dhe Kampionat Evropian. Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të luajë në turne të mëdha me përfaqësuese. Për fat të mirë e kam bërë këtë disa herë. Por natyrisht, një titull do të ishte diçka shumë e mirë. Por për atë sukses duhet të shkojmë hap pas hapi. Shpresoj të qëndroj në përfaqësuese për kohë të gjatë”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri është pjesë e skuadrës Chicago Fire në ligën MLS në SHBA, por nuk po kalon formën më të mirë. Shpreson që kjo situatë të ndryshojë sa më shpejtë.
Shaqiri foli edhe për kalimin e Lionel Messit në SHBA, tek Inter Miami.
“Është gjë e mirë për ligën kur lojtari më i mirë në botë kalon në MLS. Mendoj se edhe shumë lojtarë të tjerë do ta përcjellin. Kjo tregon punën e mirë që po bëhet në futbollin amerikan”, është shprehur ai.
31-vjeçari Shaqiri në fitoren kundër Andorrës, 2:1, të premten në udhëtim, kontribuoi me asistim. Ai luajti deri në minutën e 61-të.
Përzgjedhësi Murat Yakin tregoi pse Shaqiri u zëvendësua herët.
“E kam vizituar Shaqirin në Chicago. Jemi dakorduar me të që nëse është i gatshëm, do të luaj. Ideja është që të jetë titullar edhe ndaj Rumanisë. Ndaj Andorrës ishte e qartë se do ta zëvendësoja më herët, sepse më duhej që të luante edhe 90 minuta tjerë kundër Rumanisë. Ne kemi një ekip të mirë dhe luajmë mirë në shtëpi edhe kundër ekipeve të forta. Kundër Rumanisë duhet të jemi të kujdesshëm, por mendoj se jemi në formë të mirë. Jemi gati për ndeshje. Jemi favoritë. Duam ta luajmë lojën tonë dhe ta dominojmë ndeshjen”, është shprehur Yakin.
Ballafaqimi mes Zvicrës dhe Rumanisë zhvillohet në “Swissporarena” të Luzernit.
Te Zvicra nuk e diskutojnë kualifikimin. Për këtë ka folur edhe Shaqiri. Ai ka theksuar se është gjithnjë e veçantë të prezantohet vendi në Evropian.