Xherdan Shaqiri dhe pesë futbollist të Liverpoolit mund ta gjejnë veten në shitje gjatë verës, raporton të mërkurën “The Sun”.
Në mesin e lojtarëve që pritet të largohen janë edhe Alex Oxlade-Chamberlain dhe Divock Origi, pasi trajneri Jurgen Klopp planifikon të ristrukturojë ekipin e tij për edicionin e ardhshëm.
Emri i Shaqirit ishte përfolur edhe gjatë janarit, por ai mbeti pjesë e Liverpoolit deri në fund të sezonit aktual.
“Xherdan Shaqiri është një prej emrave që do të largohet, pavarësisht nga paraqitjet e tij të rregullta së fundi. Futbollisti i Zvicrës nuk ka qëndrueshmëri dhe për të ka interesim nga Gjermania”, shkruan “The Sun”.
Sulmuesi i krahut pjesë e Liverpoolit është që prej vitit 2018, ndërsa ka kontratë deri në verën e vitit 2023. Ai këtë edicion në 14 paraqitje në të gjitha garat ka shënuar një gol dhe ka asistuar katër herë.