Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri ka shënuar gola ndaj Bullgarisë e Lituanisë

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka kujtime të mira në duelet kundër Bullgarisë dhe Lituanisë, ka shkruar “Blick” të mërkurën. Ndaj dy kundërshtarëve të Zvicrës në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, futbollisti i Liverpoolit ka shkëlqyer me gjashtë gola në katër ndeshje të luajtura. Zvicra të enjten prej orës 18:00 do të luajë në udhëtim kundër Bullgarisë ndërsa tri ditë më vonë e pret në shtëpi Lituaninë. Këto ndeshje i takojnë Grupit C të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, të cilin e përbëjnë edhe Italia e Irlanda e Veriut.

Megjithatë Përfaqësuesja e Zvicrës nuk ka kujtime të mira prej kualifikimeve për “Euro 2012” pasi nuk arriti të kualifikohej duke përfunduar e treta në grup. Për herën e parë që nga viti 2002 Zvicra nuk ishte kualifikuar në një ngjarje të madhe. Kishte vetëm një pikë më pak se Mali i Zi, që i siguronte edhe paraqitjen në plejof. Sidoqoftë, ka pasur momente të mira në atë cikël eliminator. Në ndeshjen e gjashtë të grupit, më 6 shtator të vitit 2011, Zvicra mposhti Bullgarinë 3:1 në Basel. Lojtari i ndeshjes ishte Xherdan Shaqiri. Atëbotë Shaqiri 19-vjeçar ishte lojtar i Baselit dhe ia siguroi Zvicrës fitoren duke shënuar “hat-trick”. Shaqiri, i cili e shënoi golin e parë të tij për Zvicrën në shtator të vitit 2010 në kualifikimet e Kampionatit Evropian kundër Anglisë, ishte fantastik kundër Bullgarisë dhe pas ndeshjes pranoi se pati paraqitje të jashtëzakonshme.

“Kurrë nuk do ta harroj këtë ndeshje në jetën time”, kishte thënë Shaqiri.

Deri më tani Shaqiri ka shënuar 22 gola në 86 paraqitje për Zvicrën. Ndërsa krahas Bullgarisë Shaqiri i ka shënuar tri gola edhe kundër Lituanisë, por në kualifikimet për “Euro 2016”. Në fitoren 4:0 në ndeshjen e parë, të luajtur në St. Gallen, Shaqiri shkëlqeu me dy gola. Ndërsa golin tjetër e shënoi në Vilnius duke ia siguruar fitoren e rëndësishme Zvicrës (2:1) në fund të ndeshjes. Me këtë fitore Zvicra edhe e siguroi kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian.

E prej Shaqirit, te Zvicra presin shumë edhe në dy ndeshjet e para të këtij cikli eliminator pasi synojnë kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm. Shaqiri është njëri prej tre futbollistëve shqiptarë, të cilët janë përfshirë në listën e përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviq, për ndeshjet e këtij muaji. Krahas Shaqirit, pjesë e ekipit zviceran në këto duele do të jetë edhe sulmuesi Admir Mehmedi dhe mesfushori Granit Xhaka, i cili do ta bartë shiritin e kapitenit.

“Ndeshjes me Bullgarinë do t’i qasemi me besim të madh dhe pa e nënvlerësuar për asnjë moment kundërshtarin. Ne jemi të paralajmëruar se përballë kemi një ekip që do të përpiqet të ketë start të mbarë në kualifikime. Mirëpo jemi të gatshëm për të marrë tri pikë që do të na ndihmojnë shumë për duelin tjetër me Lituaninë”, ka paralajmëruar Xhaka.