Në janar të vitit 2016, Shani Tarashaj (25) firmosi një kontratë katërvjeçare me Evertonin, ekipin nga Premier League. Mediumet angleze e vlerësuan sulmuesin 19-vjeçar, atëbotë, i cili kishte shënuar tetë gola me fanellën e ekipit Grasshoppers. Madje, Tarashajn në Angli e përshkruan si “fëmija mrekulli i Zvicrës”.
Trajneri i atëhershëm i Evertonit, Roberto Martinez, gjithashtu priste shumë nga Tarashaj, për të cilin parashikoi: “Mund të ndiej se ai do të sjellë diçka shumë të veçantë. Ai do t’i ngrejë tifozët nga karriget e tyre. Tarashaj është duke luajtur sezonin te Grasshoppersi deri në fund, do të shkojë në Evropianin e Francës me Zvicrën dhe pastaj do t’i bashkohet klubit me synime dhe pritje të mëdha”.
Asnjë minutë në Premier League
Së fundi, në qendrën sportive të kantonit të Zuerichut, Bachenbulach, Tarashaj angazhoi Patrik Amstutzin, ish-fizioterapistin e skuadrave zvicerane Young Boys, Grasshoppers e Zuerich.
Nisi të stërvitej nga dy herë në ditë, për javë të tëra, por asgjë nuk doli ashtu siç parashikohej. Sulmuesi i talentuar nuk e ka ngritur asnjë tifoz nga karrigia në Angli, sepse nuk ka luajtur asnjë minutë me Evertonin në Premier League dhe gjithashtu nuk ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Zvicrës që nga Kampionati Evropian i vitit 2016, që u mbajt në Francë.
Edhe
Tarashaj përshëndetet nga futbolli aktiv
Tarashaj kohët e fundit nuk e rinovoi kontratën e tij të huazimit me klubin e divizionit të parë holandez Emmen dhe madje përfundoi marrëdhënien e tij të punës me Evertonin një vit para përfundimit të kontratës së tij. Ai vullnetarisht u zhvendos nga Premier League në futbollist pa klub. Ai insiston se ky ishte hapi i duhur për të, pasi synon ringritjen.
“Unë u detyrova ta lija këtë spirale negative dhe ta tërhiqja një vijë. Tre vjetët e mia të fundit kanë qenë një histori vuajtjesh. Dua ta filloj nga e para”, thotë Tarashaj.
Kovaqi ia dha një rast
Nuk është çudi që Tarashaj shtypi butonin e rikthimit. Historia e tij e fundit është një që ka të bëjë me falimentimin dhe fatin e keq. Plot lëndime dhe dhimbje, fizike e mendore. Në të vërtetë gjithçka filloi në verën e vitit 2016. Para se të bashkohej me Evertonin, “avokati” i tij, Martinez, tashmë ishte shkarkuar. Dhe Tarashaj thotë se largimi i tij nga klubi anglez ia pamundësoi shkëlqimin.
“Martinez kishte një ide shumë të saktë sesi do të më prezantonte në Premier League. Ai kishte besim të plotë në aftësitë e mia. Shkarkimi i tij ishte thjesht një fat i keq për mua”, pranon Tarashaj.
Shefi i tij i ri ishte Ronald Koeman, trajneri i sotëm i Barcelonës. Pas përgatitjeve, Koeman tha se Tarashaj kishte një potencial të madh dhe i tha atij se ai gjithashtu do të ketë mundësinë të luajë, por jo menjëherë, thotë Tarashaj. Sigurisht, ai nuk mendoi dy herë kur trajneri i Eintracht Frankfurtit, Niko Kovaq, trokiti në derën e Evertonit për huazimin e Tarashajt. Ai dëshironte të luante dhe kjo ishte një mundësi e mirë për shkak se Tarashaj besonte se më përpara do të kishte minutazhë te Kovaqi sesa te Koemani.
“Kovaq ishte trajneri më i mirë që kam pasur deri më tani. Shumë njerëzor, shumë i drejtë. Kam luajtur shumë dhe jam ndier shumë rehat te Frankfurti”, thotë Tarashaj i entuziazmuar.
Goli i tij i ëndrrave në debutim te Frankfurti kundër Hamburgut në tetor të vitit 2016 nuk do të harrohet. Por, ai gol mbetet pika e lartë për Tarashajn deri më tash.
“Nga atëherë filluan vuajtjet e mia”, pranon ai.
“Në një moment isha i shëndetshëm”
Së pari ai duhej t’i operonte bajamet, pastaj filluan problemet muskulore që e nxorën jashtë veprimit. Pak para përfundimit të sezonit, e lëndoi edhe meniskun. Kështu që, pas operimit të bajameve, erdhi edhe operimi i gjurit.
“Frankfurti në të vërtetë dëshironte ta shfrytëzonte opsionin dhe të më huazonte edhe për një vit tjetër përpara se ta blinte kartonin tim. Mirëpo, pas këtyre problemeve bë klub u tërhoqën, gjë që edhe është plotësisht e kuptueshme”, shpjegon Tarashaj.
U kthye tek Evertoni, por Tarashaj humbi të gjitha përgatitjet dhe ndeshjet e para për shkak të dëmtimit të meniskut. Mezi arriti të përshtatej përsëri, por Koeman ishte i njëjti sikur herën e kaluar.
“Në një moment isha i shëndetshëm, por jo në top-formë. Dhe nuk arrita të futem në ekipin e parë. Përveç dy misioneve me ekipin U23 të Evertonit, mbeta pa ndeshje serioze. I gjithë sezoni 2017/18 është për t'u harruar”, thotë Tarashaj, që shton se edhe dy edicionet e ardhshme ishin të tilla.
Këmba e thyer te Grasshopersi, infeksioni në Emmen
Në verën e vitit 2018 ai mundi të huazohej në klubin ku u rrit, Grasshoppers.
“Plani ishte që unë të merrja veten në qetësi dhe pastaj të vija në shprehje për ndeshje”, thotë ai.
Edhe
Tarashaj nis stërvitjet me të rinjtë e Zuerichut
Mirëpo, në xhiron e katërt, ai thyen këmbën në Lugano dhe për muaj të tërë e mban atë në gips.
“Edhe te Grasshoppersi gjithçka shkoi shumë keq. Doja të luaja përsëri, por u ngutëm edhe pse nuk ishte kjo ideja”, shton Tarashaj.
Në fund të sezonit, Tarashaj largohet nga ekipi zviceran. Sezoni i ri, histori e vjetër. Ai kishte dy javë që iu bashkua Emmenit në Holandë - klubi i tretë ku u huazua - dhe sulmuesi u dëmtua përsëri. Pasoi një infeksion i ngjashëm me gripin, i përcjellë me përfundimin e sezonit për shkak të koronavirusit.
“Kjo ishte shumë e vështirë, edhe për kokën time”, shprehet Tarashaj.
Problemet e zorrëve dhe mbipesha
Fakti që pesha është një temë e përsëritshme gjatë kësaj kohe të vuajtjeve, nuk ia lehtëson aspak punën Tarashajt. Ai e mbajti qëllimisht mbipeshën e tij kronike për vite me radhë, deri më tani.
‘”Kam vuajtur nga problemet e zorrëve për vite me radhë”, thotë Tarashaj. “Unë kurrë nuk i kam treguar askujt, madje as kolegëve të mi. Por, gjithnjë më shqetësonte, sëmuresha herë pas here.”
Problemet e tij me tretjen janë shfaqur në mënyrë sporadike. Një stomak i fryrë dhe pastaj lodhja.
“Në një moment doli që isha pak intolerant ndaj laktozës. Kështu që ndryshova dietën time. Më pak makarona, e fare bukë. Jam ndier shumë më mirë që nga ajo kohë”, pranon ai.
“Të gjithë e dinë që unë mund të luaj futboll”
Disa javë më parë ai përfundoi marrëveshjen e huazimit me Emmenin dhe kontratën me Evertonin.
“Ky hap u shqyrtua me kujdes. Jo gjithçka shkoi ashtu siç doja unë. Nuk ishte një opsion për mua që të huazohesha përsëri. Nuk mund të ndikoj më në atë që ndodhi. Unë dua të bëj më të mirën për të ardhmen time. Për momentin jam duke punuar shumë që të kthehem në një nivel të lartë fizik”, shton Tarashaj.
Dhe ai e merr tërë kohën e tij për këtë. Sepse ai ka mësuar diçka nga vitet e fundit.
“Unë kam për të dëgjuar shumë, shumë më tepër për trupin tim dhe t'ia lejoj relaksimin e nevojshëm", tha ai.
Edhe pse aktualisht pa klub, Tarashaj është optimist për të ardhmen.
“Të gjithë e dinë që unë mund të luaj futboll. Dhe kam akoma shumë vite përpara vetes. Jam vetëm 25-vjeçar dhe do të shoh se çfarë do të ndodhë në janar”, deklaroi bindshëm Tarashaj.
Martinezi kundër Zvicrës
Edhe
Evertoni liron Tarashajn
Ndoshta do të jetë një çështje përsëri për Përfaqësuesen e Zvicrës. Ai nuk ka dëgjuar asgjë nga përgjegjësit për një kohë të gjatë. Prandaj, ai nuk është i zhgënjyer: “Kjo është e kuptueshme”.
Ai të mërkurën e ardhshme, nga divani i shtëpisë së tij, do ta shikojë miqësoren ndërmjet Belgjikës dhe Zvicrës. Në krye të Belgjikës është përzgjedhësi Martinez, i cili e prezantoi bujshëm Tarashajn para tifozëve të Evertonit para gati pesë vjetëve. Martinez, që dëshironte ta bënte Tarashajn një sulmues të shkëlqyeshëm, e ka udhëhequr Belgjikën në krye të renditjes botërore. Tarashaj vështirë se në të ardhmen do të mund të punojë me Martinezin, por ai shpreson që sa më shpejt ta marrë veten dhe të jetë i gatshëm për të luajtur përsëri./blick.ch