Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tarashaj përshëndetet nga futbolli aktiv

Sulmuesi Shani Tarashaj i ka dhënë fund karrierës aktive në futboll. 27-vjeçari nëpërmjet një postimi në Instagram, ka njoftuar se është detyruar ta marrë këtë vendim për shkak të lëndimeve dhe problemeve shëndetësore.

Tarashaj sezonin e fundit ka luajtur për ekipin U21 të Zuerichut dhe ka regjistruar gjashtë paraqitje në kategorinë e tretë të futbollit zviceran.

Ai ka thënë se ndihet krenar për karrierën e tij, pasi ka qenë pjesë e disa skuadrave me emër. Po ashtu, ka përmendur edhe debutimin me Përfaqësuesen e Zvicrës, për të cilën ka regjistruar pesë paraqitje.

Tarashaj hapat e parë në futboll i ka nisur në gjeneratat e reja të Zuerichut, përpara se t’i bashkohet ekipit të parë të Grasshoppersit në vitin 2013. Pas tri sezoneve te Grasshoppersi, Tarashaj bëri lëvizjen e madhe në karrierë duke u transferuar tek Evertoni në Premier League, por në Angli nuk arriti ta dëshmojë veten.

Gjatë kohës sa ishte nën kontratë me Evertonin, Tarashaj ishte huazuar tek Eintracht Frankfurti, Grasshoppersi e Emmeni. Në vitin 2020, Evertoni njoftoi për shkëputjen e kontratës së Tarashajt.