Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, ka thënë se kartoni i kuq i kapitenit të Fushë Kosovës, Valmir Kutllovci, ka ndikuar në disfatën 6:1 të skuadrës së tij nga Malisheva.
“E filluam ndeshjen mirë. Malisheva ishte e rrezikshme nga krahët por deri në minutën e 25-të, gjithçka shkoi sipas planit, shkoi mirë. U ndëshkua me të kuq kapiteni dhe ndryshoi loja. Largimi i tij ndikoi në lojë dhe rezultat. Kjo nuk guxon të ndodhë. Ne duhet t’i lëmë prapa gabimet dhe të punojmë. Është loja e parë. Duhet t’i përmirësojmë gabimet dhe të kthehemi më të fortë”, ka thënë Shala pas ndeshjes për “ArtMotion”.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin e Ballkanit në Suharekë, për shkak të punimeve në “Liman Gegaj” në Malishevë.
Fushë Kosova ishte pa një futbollist që nga minuta e 26-të, kur kapiteni Valmir Kutllovci u ndëshkua direkt me të kuq, pas ndërhyrjes së rrezikshme në Arlind Veliun.