Linda Shala po e konsideron veten favorite për të fituar postin e kryetares së Komitetit Olimpik të Kosovës. Si një nga tre pretendentët për kreun e KOK-ut, Shala ka thënë se dallon nga kundërkandidatët për shkak të përvojës së saj dhe se e sheh të nevojshme që të ketë ndryshime në Komitet.
Pos Shalës, në këtë garë janë edhe presidenti aktual Besim Hasani dhe Ismet Krasniqi nga Federata e Karatesë. Ajo thotë se pasi të dy kandidatët janë nga karateja, ka ardhur koha që Komitetin Olimpik ta udhëheqë dikush nga një sport tjetër, në këtë rast Shala nga basketbolli.
“Mendoj që jam në avantazh për faktin se edhe zoti Hasani edhe Krasniqi vijnë nga komuniteti i karatesë. Një rotacion është më se i domosdoshëm. Është sepse duhet që pas 25 vitesh të vijë një përfaqësues i një sporti tjetër. Basketbolli e meriton atë”, ka thënë ajo në “Express Intervistën” në KTV.
Shala thotë se po që se fiton në këtë garë do të mundësojë riorganizimin e punës në KOK e do të rrisë nivelin e punës aty.
“Do të kemi një institucion në shërbim të sportit. Ka ardhur koha për ndryshim dhe mendoj se do të përkrahet kandidatura ime”, ka thënë më tej Shala që udhëheqjen e klubit të basketbollit Trepça e ka cilësuar si suksesin më të madh të saj në sport.
Shala ka premtuar se do të jetë e hapur për të gjithë sportistët, teksa ka theksuar se ka një strategji të mirë për promovimin e sportit tek vajzat.
Edhe
Tre kandidatë për kryetar të KOK-ut
Ka shtuar se aktualisht në sport ka mungesë të përkrahjes.
Asambleja e Punës dhe Zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës do të mbahet më 25 mars nga ora 15:00.