Sport

Tre kandidatë për kryetar të KOK-ut

Prishtinë, 12 mars – Tre kandidatë kanë mbetur në garën për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Milaim Kelmendi, që ishte kandidati i katërt në garë për këtë post, është tërhequr nga gara të premten. Tërheqja e Kelmendit ka bërë që për kreun e KOK-ut të mbesin në garë Besim Hasani, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala. Kelmendi, që deri të premten ka synuar ta marrë drejtimin e institucionit më të lartë sportiv në vend, ka thënë për KOHËN se kandidaturën për president të KOK-ut do t’ia besojë kryetarit të Federatës së Karatesë të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai ka insistuar se e mbështet plotësisht planprogramin e Krasniqit për të cilin është i bindur se do të fitojë. Zgjedhjet për kryetar të KOK-ut do të mbahen më 25 mars, vendim që është marrë muajin e shkuar në mbledhjen e Bordit të këtij institucioni. E mbështetjen e Kelmendit kandidati Krasniqi e sheh edhe si një hap më afër për ta fituar garën. Krasniqi beson se ka përkrahje të mjaftueshme për t’i mposhtur dy kundërkandidatët e tjerë dhe thotë se përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime në KOK.

“Patjetër që përkrahjen e Milaim Kelmendit, që ishte kandidat, e shoh si një plus shtesë për mua. Tani jemi bërë një grup më i madh dhe më i fuqishëm në synimin për ta marrë postin e kryetarit të KOK-ut. Është koha për ndryshime dhe këtë tashmë e kanë kuptuar të gjitha federatat sportive”, është shprehur Krasniqi.

Tërheqjen e Kelmendit nga gara nuk e ka komentuar Linda Shala, e cila në fillim të kësaj jave u nominua në Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Në fakt, Shala po e sheh veten favorite për ta fituar garën përballë dy kundërkandidatëve të tjerë. Ajo për KOHËN ka thënë se dallon prej Hasanit, kryetarit aktual të KOK-ut, dhe kandidatit tjetër, Krasniqi, për shkak të përvojës së saj dhe ka insistuar se e sheh të nevojshme që të ketë ndryshime në këtë institucion sportiv. Shala insiston se pasi të dy kandidatët janë nga karateja, ka ardhur koha që KOK-un ta udhëheqë dikush nga një sport tjetër, në këtë rast ajo që është nga basketbolli.

“Mendoj që jam në avantazh për faktin se edhe zoti Hasani, edhe Krasniqi vijnë nga komuniteti i karatesë. Një rotacion është më se i domosdoshëm. Është, sepse duhet që pas 25 vjetësh të vijë një përfaqësues i një sporti tjetër. Basketbolli e meriton atë”, ka thënë Shala, që ka premtuar se do të bëjë riorganizimin e punës në KOK. “Do të kemi një institucion në shërbim të sportit. Ka ardhur koha për ndryshim dhe mendoj se do të përkrahet kandidatura ime”.

Kreu aktual i KOK-ut, Hasani, gjithashtu është optimist se do ta fitojë edhe një mandat tjetër. Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës. Në të kaluarën Hasani ka fituar bindshëm garën me kundërkandidatët e tij duke pasur përkrahjen e madhe të asamblistëve. Por, për mandatin e ri vlerësohet se do të jetë garë e ngushtë. Shumë anëtarë të federatave që do të kenë të drejtë vote janë ende të pavendosur se cilit kandidat do t’i japin përkrahje, ndërsa fushata ka nisur më herët. Zgjedhjet ishte kërkuar të mbaheshin pas Lojërave Olimpike, që mbahen gjatë verës në Tokio, e ku Kosova pretendon të shkojë me më shumë se pesë norma olimpike. Madje kërkon që nga Tokio të kthehet edhe me medalje olimpike. Nën drejtimin e Hasanit, Kosova e ka fituar një medalje olimpike. Është xhudistja Majlinda Kelmendi që në vitin 2016, në Rio, fitoi medaljen olimpike. Në të vërtetë, Hasani ka thënë se gara do të jetë edhe më interesante me tre kandidatë, ndonëse është optimist se do të vazhdojë të mbetet në krye të KOK-ut.

“Përfundimisht do të jetë garë shumë më interesante. Mirëpo unë besoj se do ta fitoj këtë garë dhe do ta vazhdoj punën time. Jam optimist për këtë pasi kam ende çka t’i jap komunitetit sportiv”, ka thënë shkurt Hasani, i cili është në krye të KOK-ut tashmë 24 vjet.