Mediumi zviceran “sport.ch” e ka renditur portierin shqiptar Amir Shaipin, në mesin e futbollistëve që në të ardhmen mund ta zërë vendin e portierit të parë të helvetikëve, Yan Sommer.
Portieri Sommer është 31-vjeçar dhe në ndeshjet e fundit ka shfaqur pasiguri, që e ka shtyrë selektorin Vladimir Petkoviq të mendojë për një pasardhës të tij.
Në mesin e gjashtë portierëve premtues për të cilët ka shkruar portali “sport.ch”, është edhe Amir Shaipi.
Shaipi është 20-vjeçar, i gjatë 1 metër e 94 centimetra dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së Schaffhausenit, që bën gara në rangun e dytë të futbollit zviceran.
“Portieri i FC Schaffhausen është një nga talentet më të mëdhenj të vendit tonë, por Shaipi gjithashtu e ka problemin që veterani David Da Costa, është portier i parë. Në sezonin e kaluar, 20-vjeçari luajti në shumicën e ndeshjeve në ‘Challenge League’. Shaipi ka qenë katër herë në portë për ekipin U20 të Zvicrës, i grumbulluar edhe me skuadrën U21, por që ende nuk ka luajtur asnjë lojë”, shkruan “sport.ch”.
Shaipi tash e një kohë të gjatë është nën “llupën” e zyrtarëve të FFK-së, por ende nuk ka asgjë zyrtare nga ai se cilin shtet ka vendosur ta përfaqësojë.