Shahisti mitrovicas, Nderim Saraçi, po i bën përgatitjet e fundit para udhëtimit në Poloni. Në Varshavë të Polonisë, Saraçi do të nisë epokë të re sa i takon shahut kosovar.
Kosova për herë të parë do të paraqitet në Kampionatin Botëror të shahut. Në kryeqendrën e Polonisë prej 26 deri më 30 dhjetor mbahet kampionati botëror në shahun blic dhe rapid.
Federata e Shahut e Kosovës me mburrje ka njoftuar që do të ketë shahist në ngjarjen më të madhe. Ndërkohë Saraçi ndihet krenar që po shënon epokë të re. 25-vjeçari ka kohë që llogaritet shahisti bindshëm më i mirë në vend. Është mjeshtër ndërkombëtar i shahut.
“Si junior kam marrë pjesë në Botëror. Ndërsa si senior është hera e parë për mua, por është hera e parë edhe që Kosova ka shahist në Botëror”, ka thënë Saraçi të martën për KOHËN. Ai ka treguar pse Kosova deri më tani mungoi në këtë ngjarje të madhe.
“Sepse janë disa kritere për të marrë pjesë. Pjesëmarrësi duhet të ketë rejting prej 2550 e tutje, së paku në njërën kategori, klasike, blic apo rapid. Po ashtu të drejtë pjesëmarrjeje ka vetëm kampioni shtetëror. Dhe unë si kampion i Kosovës kam të drejtë të marr pjesë. Të regjistruar deri më tani janë gjithsej 154 lojtarë. Njëri nga ta është kampioni i botës, Magnus Carlsen. Unë edhe më herët isha kampion i Kosovës, por nuk e kisha rejtingun e kërkuar”, ka shtuar Saraçi.
Ai ndihet i privilegjuar që do të marrë pjesë në ngjarjen më të madhe. Sivjet shahisti mitrovicas doli nënkampion mesdhetar. Po ashtu ka një normë për të fituar titullin kryemjeshtër i shahut. Për t’u bërë kryemjeshtër, duhen tri norma. Nderimi është afër, por i duhet pjesëmarrje më e rregullt në gara të mëdha.
“Për mua është nder dhe privilegj ta përfaqësoj Kosovën në Botëror, duke marrë parasysh se çfarë konkurrence dhe çfarë kompeticioni është. Do të jap maksimumin nga vetja”, ka theksuar Saraçi.
Prej shahistëve të Kosovës mjeshtër ndërkombëtar ishte vetëm edhe Bedri Sadiku, dekada më parë. Ndërsa Kosova nuk ka pasur kurrë kryemjeshtër të shahut. Atij titulli i është afruar Nderimi, djaloshi fjalëpak që i takon një familjeje plot shahistë.
“Synimi në Botëror është të rangohem sa më lart në tabelë”, thotë Saraçi, i matur si gjithnjë.