Sport

Shahistët e Kosovës me trajtim të barabartë në Evropianin në Serbi

Shahistët e Kosovës po trajtohen si gjithë garuesit e tjerë në Kampionatin Individual Evropian të shahut që të premten nisi në Vrnjaçka Banja të Serbisë. Është një paraqitje e rrallë e sportistëve të Kosovës në ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare që mbahen në territorin e Serbisë.

Serbët vazhdimisht angazhohen për të pamundësuar paraqitjen e sportistëve nga Kosova në ngjarjet në Serbi. Por, dy shahistët e Kosovës garuan të premten dhe nuk kishin asnjë problem.

Në sallën ku po zhvillohet Evropiani nuk ka simbole të shteteve pjesëmarrëse. Për këtë ka njoftuar Federata e Shahut e Kosovës, të premten mbrëma. Heqja e simboleve të shteteve pjesëmarrëse është një kompromis për të mundësuar paraqitjen e garuesve të Kosovës.

“Po marrin pjesë afro 500 shahistë nga 40 shtete evropiane, në mesin e të cilëve edhe Nderim Saraçi dhe Gani Hamiti nga Kosova. Mjaftoi një marrëveshje e thjeshtë ndërmjet organizatorit dhe ECU-së që ky kampionat të zhvillohet pa flamuj dhe emblema shquese të shteteve pjesëmarrëse, marrëveshje e cila u respektua. Dhe shahistët tanë ishin të barabartë me shahistët e tjerë dhe nuk u ndjenë të diskriminuar”, ka njoftuar Federata e Shahut e Kosovës. Nga FSHK-ja kanë uruar që “edhe federatat e tjera sportive kosovare të gjejnë përkrahje të këtij lloji nga federatat përkatëse ndërkombëtare”.

“Djemve tanë u urojmë suksese dhe lojëra të mira, posaçërisht Nderimit, i cili është në kërkim të normës së tretë për titullin mjeshtër i madh”, shkruan në njoftim.

Saraçi e Hamiti kanë barazuar në lojërat e së premtes. Të shtunën i kanë ndeshjet e tjera.

“Kemi udhëtuar pa telashe dhe këtu po trajtohemi si gjithë të tjerët. Nuk kemi ndonjë problem dhe tashmë jemi fokusuar në ndeshjet që na presim. Po shpresojmë të kemi Evropian të suksesshëm”, ka thënë për KOHËN Nderim Saraçi, shahisti më i mirë në Kosovë. Ai është në kërkim të titullit që nuk e ka pasur asnjëherë ndonjë shahist nga Kosova.

Vjet për herë të parë sportistët e Kosovës kanë garuar në Serbi. Bëhet fjalë për atletët që u paraqiten në një Ballkanik për të rinj në palestër. Më pas edhe Gresa Bakraçi garoi në Botërorin në palestër. Por atletët ishin trajtuar jo të barabartë me pjesëmarrësit nga vendet e tjera.

Në sporte të tjera, hendboll, boks e karate, sportistëve të Kosovës nuk u është lejuar paraqitja në ngjarjet në Serbi. Ndërkohë në disa sporte federatat kosovare heqin dorë nga ngjarjet në Serbi për të shmangur komplikimet e mundshme. Kjo në raste bëhet në koordinim me asociacionet ndërkombëtare.