16-vjeçari nga India, Rameshbabu Praggnanandhaa e befasoi Magnus Carlsenin, numrin një të botës në shah duke e mposhtur në turneun “Masters Airthings”. Praggnanandhaa, i cili njihet me nofkën Pragg, ishte i ftohtë përballë Carlsenit, i cili bëri gabime të shumta për t’ia mundësuar indianit të ri fitoren.
Me gjithë që pesë herë kampion i botës, Carlsen luftoi për t’u kthyer në lojë, Pragg nuk i dha asnjë mundësi, dhe kështu realizoi një fitore të famshme në turneun e shahut të shpejtë. Kur fitorja u bë e qartë ndaj Carlsenit, nuk mungoi as reagimi i indianit Pragg, i cili mbuloi gojën me dorë dhe dukej tërësisht i tronditur nga befasia që e kishte shkaktuar.
Kjo ishte fitorja e parë e indianit ndaj Carlsenit dhe Pragg u bë lojtari i parë që e mposhti norvegjezin qëkur u bë kampion bote në vitin 2013. Praag, gjithashtu u bë vetëm mjeshtri i tretë indian që fitoi kundër norvegjezit pas Viswanathan Anandit dhe Pentala Harikrishnas. Kur u pyet se si do ta festonte këtë fitore, Pragg u tregua realist duke shtuar se as që kishte ëndërruar një fitore të tillë për faktin se deri vonë kishte luajtur shah në Indi.
“Unë mendoj se bëhet fjalë vetëm për të shkuar në shtrat. Është koha për të fjetur, pasi nuk mendoj se do të ha darkë në orën 02:30 të mëngjesit”, tha ai i hutuar.
Rezultati ndoshta nuk ishte parashikuar përpara se përballja të fillonte mes indianit Pragg dhe Carlsenit. Carlsen kishte fituar tri ndeshje rresht dhe dukej se vetëm po ngrohej, ndërsa Pragg e kishte përfunduar ditën e parë të turneut me tri humbje rresht. Megjithatë, kur të dy u përballën, mjeshtri 16-vjeçar dukej i vendosur dhe arriti ta mposht legjendën e shahut në 39 lëvizje.
Edhe
Kampioni i shahut barazon me “Botën” pas 46 ditësh loje – përfshihen 143 mijë lojtarë
“Unë mendoj se dita e parë e turneut nuk ishte aq e mirë”, pranoi Pragg. “Kështu që, mendoj se kjo ishte loja më e mirë që e kam pasur deri më tani dhe shpresoj të vazhdojë kështu edhe në ditët e ardhshme”.
Pragg është një nga yjet më në zhvillim të shahut dhe është parashikuar për gjëra të mëdha që në moshë të re. Në vitin 2016 ai u bë mjeshtri ndërkombëtar më i ri në histori në moshën dhjetëvjeçare dhe shumë njerëz kanë parashikuar se ai mund të jetë një pretendues për titull në vitet në vijim. Fitorja e tij e famshme ndaj Carlsenit ishte objekt i lëvdatave për të nga disa bashkatdhetarë të njohur. Pesë herë kampioni i botës, Anand shkroi në Twitter se ai ishte “gjithmonë krenar për talentet e Indisë”, duke thënë gjithashtu se ishte një “ditë shumë e mirë” për të riun Pragg.
E reagimi nuk mungoi as nga lojtari indian i kriketit, Sachin Tendulkar, i konsideruar gjerësisht si një nga yjet më të mëdhenj të gjitha kohërave të këtij sporti, i cili uroi gjithashtu mjeshtrin Pragg.
“Çfarë ndjesie e mrekullueshme duhet të jetë për Pragg. Me 16 vjet të mposhtësh Magnus Carlsenin është magjike. Ju e keni bërë Indinë krenare me këtë fitore”, shkroi Tendulkar.
Për Carlsenin ishte një humbje potencialisht e dëmshme në tentimin për të shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tij tashmë prestigjioz. 31-vjeçari u kontraktua me Covid-19 në ditët para turneut dhe ai beson se loja e tij po ndikohet nga pasojat e virusit që ai ende po i ndien.
Edhe
8-vjeçari shkruan historinë, mund mjeshtrin e madh të shahut
“Jam pak më mirë, por dy ditët e para ndihesha sikur isha mirë, por nuk kisha energji dhe kjo më vështirësonte përqendrimin, sepse sa herë që përpiqesha të mendoja, gaboja. Ishte pak më mirë, por ende shumë keq”, tha Carlsen.
Pavarësisht formës së tij, Carlsen ka arritur të ngjitet në vendin e dytë në renditjen e turneut “Airthings Masters”, me shtatë pikë prapa liderit Ian Nepomniachtchi. Rusi Nepomniachtchi është në pozitën kryesore për t'u kualifikuar në fazën tjetër të turneut, me tetë lojtarë që kalojnë nga faza paraprake deri në fazën e nokautit që fillon të mërkurën.