Superylli norvegjez i shahut, Magnus Carlsen, e ka përfunduar në barazim një përballje të rrallë kundër “Botës”, në një ndeshje online që zgjati 46 ditë dhe përfshiu 143 mijë lojtarë nga e gjithë bota, duke thyer çdo rekord të mëparshëm në historinë e shahut digjital, transmeton “The Guardian”.
E zhvilluar në platformën “Chess.com”, loja e titulluar “Magnus Carlsen kundër Botës” filloi më 4 prill dhe u luajt sipas formatit “shah në stil të lirë” – një variant ku figurat (mbretëresha, rojet, kalorësit etj.) nisin në pozita të rastësishme, ndërsa ushtarët mbeten në vendet tradicionale. Pas çdo lëvizjeje të Carlsenit, lojtarët nga e gjithë bota votonin për kundërpërgjigjen, me secilën palë që kishte nga 24 orë kohë për të lëvizur.
Edhe pse Carlseni e nisi ndeshjen si favorit i padiskutueshëm dhe pati epërsi në hapje, ai nuk arriti të depërtonte mbrojtjen e koordinuar të “Botës”. Loja u mbyll pas 32 lëvizjesh, kur “Botës” iu dha mundësia të barazonte përmes kontrollit të mbretit dhe përsëritjes së pozitës tre herë – rregull që sipas Federatës Ndërkombëtare të Shahut, sjell automatikisht barazim.
“Ndihem sikur kisha përparësi në hapje, por ndoshta nuk luajta me saktësinë e duhur”, deklaroi Carlsen. “Që nga ai moment, nuk më dhanë asnjë rast të vetëm”.
Ndërsa ndeshja përfundoi pa fitues, Carlseni shënoi tjetër arritje madhore: përballja me numrin më të madh të kundërshtarëve ndonjëherë në një lojë shahu. Ai theu rekordin e vendosur vitin e kaluar nga legjenda indiane Viswanathan Anand, i cili mposhti rreth 70 mijë lojtarë në “Chess.com” në ndeshjen kundër “Botës”.
Për më tepër, përballja e Carlsenit tejkaloi edhe ndeshjen ikonike të Garry Kasparovit në vitin 1999, ku ish-kampioni botëror fitoi kundër mbi 50 mijë lojtarëve në Microsoft Network – ndeshje që ai e quajti “më e madhja në historinë e shahut”.
Carlsen, i cili ka shkëlqyer në shahun në stil të lirë – muajin e kaluar fitoi turneun e Grenkes me një rezultat të përsosur 9/9 kundër mjeshtërve të mëdhenj – tregoi se shumë nga lojtarët e “Botës” përdorën kërkimet në internet për të bërë lëvizjen e radhës, kjo sipas tij, i ndihmoi të kishin mbrojtje solide.
“Në përgjithësi, ‘Bota’ luajti shah shumë të mirë që nga fillimi”, ka thënë Carlsen. “Jo gjithmonë me zgjedhje të guximshme, por në përputhje me logjikën e shahut klasik – dhe kësaj radhe funksionoi”.