Sport

Sfidat e veçanta të Patriotit të Malmos

Një operim në gjoks, aksidenti dhe lëndimet në gju vetëm se e kanë bërë më të fortë Patriot Sejdiun. Ia kanë forcuar dëshirën që ta ndjekë ëndrrën e futbollit.

Sejdiu, 21-vjeçar, vlerësohet për talentin që ka. Aktualisht është pjesë e skuadrës më të suksesshme në Suedi, Malmo.

Sejdiu në nëntor u shpërblye me kontratë profesionale, për tri vjet, nga Malmo. Arritja deri në këtë pikë ka qenë me plot sfida.

Andreas Georgson, drejtor sportiv te Malmo, ka thënë se Sejdiu është lojtar aq i veçantë sa që do të doje të paguaje para për të shkuar në stadium e për ta shikuar nga afër.

“Ndihem shumë mirë kur zyrtarët e klubit thonë fjalë të mira. Normalisht që këto më bëjnë të ndihem shumë i veçantë. Jam me fat që jam te skuadra më e mirë në Suedi”, ka thënë Sejdiu të dielën për KOHËN.

Sejdiu, “majtaku i veçantë” i Malmos, siç njihet ndryshe, e ka një histori të veçantë të lëndimeve në karrierën e tij ende në nismë. Ai në moshën 18-vjeçare ka pasur operim në gjoks, që e mbajti jashtë futbollit për shtatë muaj.

Në fund të vitit 2019 pati aksident trafiku dhe pësoi lëndim në gju. Mungoi 14 muaj shkaku i lëndimit të ligamentit të gjurit.

Ai thotë se lëndimet kanë ardhur në momentet kur është dashur të prekë majat. Tani është mirë, stërvitet dhe shpreson të mos ketë më probleme. Para lëndimit, në shtator të vitit të kaluar, Sejdiu ishte i huazuar te Dalkurdi në “Superettan” dhe kishte shënuar pesë gola e një asistim në 16 ndeshje.

“Lëndimet kanë ndikuar shumë tek unë. Ka qenë e vështirë, sepse kam humbur shumë kohë pa luajtur, por te Malmo kanë besuar në talentin tim dhe më kanë ofruar kontratë. Në lëndimin e dytë kam munguar plot 14 muaj. Me U-19 kam pasur një lëndim në gju, por nuk ka qenë shumë i rëndë. Jam shumë i lumtur që klubi ka besuar në mua dhe shpresoj që t’ia shpaguaj me paraqitje të mira e trofe”, theksoi Sejdiu.

Mesfushori ofensiv thotë se ka qenë babai i tij, Shpëtimi, që e ka shtyrë të merret me futboll. Si pesëvjeçar nisi të luajë në klubin Horbi FF, ku qëndroi deri në moshën 14-vjeçare. Kur u përballën me Malmon në një ndeshje, humbën 13:0. Pas ndeshjes, trajneri i Malmos i kërkoi që të bëjë teste te skuadra e madhe suedeze. Ato i kaloi me sukses.

“Fillimi ka qenë i vështirë. Kam pasur edhe stres dhe nuk kam mundur ta jap më të mirën, por jam adaptuar me futbollin e nivelit më të lartë dhe pas adaptimit gjithçka ka shkuar shumë mirë. Me Malmon U-17 kam shënuar 35 gola në 28 lojë në vitin e parë. Më pas te Malmo U-19 kam fituar kampionatin e Suedisë për të rinj”.

Sejdiu është shok me Granit Rushitin, ish-lojtarin e Malmos që e luajti rolin e Zlatan Ibrahimoviqit në dokumentarin kushtuar atij. Rushiti e la futbollin kur ishte në grupmoshën U-19, por jo edhe Sejdiu.

“Atë që ka arritur Zlatani e ëndërron gjithkush, është prej më të mëdhenjve në botë. Edhe unë dua të bëhem si ai, pse jo edhe ta kalojë. Ëndrra ime është të luaj në Spanjë tek ekipi im favorit, Real Madridi, por çdo futbollist synon ligat e mëdha evropiane”, nënvizoi ai.

Emri Patriot sikur tregon se është i lidhur me Kosovën. Është grumbulluar me Kosovën U-21 një herë, ndërsa synon të dalë edhe tek ekipi i parë në të ardhmen.

“Me Kosovën U-21 kam qenë i grumbulluar në vitin 2019. Jam ndier shumë mirë. Normalisht për shtetin tënd gjithmonë është kënaqësi. Dua të vazhdoj me ritëm të lartë e të luaj për Kosovën. Për Kosovën normalisht se kam qejf të luaj, është shteti im. Dua ta tregoj veten se jam shqiptar”.

Sejdiu pas rikthimit nga lëndimi ka qenë rezervist në Ligën e Kampionëve në ndeshjen kundër Zenitit dhe në një ndeshje tjetër të ligës.