Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Januzaj huazohet te Bashakshehiri

Sulmuesi i krahut, Adnan Januzaj është larguar nga Sevilla për ta vazhduar karrierën Turqi. Ai do të jetë pjesë e skuadrës Istanbul Bashakshehir për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Januzaj të premten është zyrtarizuar tek ekipi turk, ndërsa largimin e tij e ka konfirmuar edhe Sevilla që ka bërë zyrtare marrëveshjen.

Në njoftimin e klubit spanjoll, thuhet se Januzaj do të jetë i huazuar deri në fund të sezonit te Bashakshehiri, por nuk bëhet e ditur nëse ekipi elitar i Turqisë ka të drejtën e blerjes së tij në verë. 27-vjeçari në fillim të këtij sezoni u transferua te Sevilla si lojtar i lirë, por nuk bindi me paraqitjet e tij. Ai ka pasur minutazh të vogël, ku në total ka regjistruar 6 paraqitje në të gjitha garat.

Januzaj ka kontratë me Sevillan deri në vitin 2026, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Real Sociedadi, Manchester Unitedi, Sunderlandi e Borussia Dortmundi.

Aktualisht, Istanbul Bashakshehiri është i treti në Superligën e Turqisë me 40 pikë të tubuara.