Serie A ka njoftuar se 98 për qind e lojtarëve të saj kanë marrë nga dy doza të vaksinave kundër COVID-19, gjë që e ka ndihmuar kampionatin italian të qëndrojë relativisht i paprekur nga virusi.
Elita e futbollit të Italisë nuk është ndërprerë shumë nga pandemia këtë sezon, me numrin e rasteve pozitive midis lojtarëve, që mbetet shumë i ulët. Situata qëndron në kontrast të plotë me Anglinë, ku tre ndeshje në mesjavë u shtynë dhe gjysma e dhjetë ndeshjeve të Premier Leagues, të kësaj fundjave, janë anuluar për shkak të shpërthimeve nëpër klube, pasi varianti Omicron përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin.
Serie A zbuloi të premten se 98 e lojtarëve të saj janë vaksinuar me dy doza, por tha se nuk ka ende të dhëna për përqindjen e atyre futbollistëve që kanë marrë edhe një dozë të tretë. Të dhënat më të fundit të Premier Leagues mbi vaksinimet nga mesi i muajit tetorit zbuluan se 81 për qind e lojtarëve kishin marrë një dozë dhe 68 për qind ishin vaksinuar me dy doza. Të enjten, Liga angleze e futbollit (EFL) tha se 25 për qind e lojtarëve nga 72 klubet e saj nuk e kishin ndërmend të vaksinoheshin.
“Ne jemi të kënaqur me faktin se 98 për qind të futbollistëve janë të vaksinuar plotësisht, ndërsa ka prej atyre që kanë marrë edhe vaksinën e tretë për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Bazuar në këtë statistikë, Serie A ndihet e sigurt dhe nuk beson se do të vijë në situatë kur do të duhet t’i anulojë ndeshjet apo të pezullojë kampionatin për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve nëpër klube”, thuhet në njoftimin e Serie A.
E njëri prej futbollistëve të kampionatit italian, që tashmë ka marrë edhe dozën e tretë të vaksinës, është kapiteni i skuadrës së Juventusit, qendërmbrojtësit Giorgio Chiellini. Madje, Chiellini u bëri thirrje të gjithëve që të marrin masat e tyre përforcuese dhe mos të ndihen të kërcënuar nga varianti Omicron i koronavirusit.
“Le të luajmë të gjithë rolin tonë dhe të vaksinohemi për veten tonë dhe për të mbrojtur njerëzit më të brishtë”, shkroi 37-vjeçari në rrjetin social “Twitter”.
Edhe
Italia nuk lejon sportistët të garojnë pa vaksina
Asnjë ndeshje e Serisë A që nga tetori nuk është shtyrë për shkak të shpërthimeve të koronavirusit, megjithëse ka pasur disa raste aty-këtu, kryesisht asimptomatike. Në të vërtetë, disa raste pozitive me koronavirus janë regjistruar nëpër klubet e Serie A në javët e fundit, duke përfshirë mesfushorët e skuadrës së Romas, Bryan Cristante dhe Gonzalo Villar dhe Diego Demme e Matteo Politano të Napolit.
Instituti Kombëtar i Shëndetit i Italisë (ISS) tha ditë më parë se varianti Delta është ende mbizotërues në vend, me shifrat zyrtare që tregojnë numrin e përgjithshëm të rasteve të variantit Omicron, që ishte 28 që nga data 15 dhjetor. Gjermania ngriti çështjen se si të trajtohen lojtarët që janë gjithashtu të pavaksinuar, me Bayern Munichun, që refuzoi të paguajë pesë lojtarë për çdo lojë ose seancë stërvitore që ata munguan për shkak të izolimit, pasi kanë rënë në kontakt me ata që kanë COVID. Lojtari i Bayernit, Joshua Kimmich, kishte qenë kundër vaksinimeve, por pas infektimit dhe komplikimeve në mushkëri, ai ka ndryshuar mendje dhe ka thënë se do të vaksinohet sa më shpejt të jetë e mundur.