Lega Serie A i ka bërë thirrje klubeve që nuk garojnë në garat evropiane të pezullojnë stërvitjet për shtatë ditë pas përhapjes së koronavirusit, ndërsa njëkohësisht i ka bërë thirrje UEFA-s që të ndalojë futbollin plotësisht për një periudhë të pacaktuar, njofton “Football Italia” të mërkurën, transmeton Koha.net.
Gjitha ngjarjet sportive në Itali janë pezulluar deri më 3 prill, ndërsa virusi po vazhdon të përhapet në vend.
Shumë klube kanë pezulluar stërvitjet tashëm për një javë, duke e parë se nuk ka ndeshje, por në një komunikatë Lega Serie A i ka bërë thirrje zyrtare klubeve që të ndalojnë stërvitjet.
Në këtë komunikatë po ashtu i është bërë thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të vendosin në prioritet shëndetin e futbollistëve profesionistë, por njëkohësisht duke respektuar edhe kërkesat sportive.
Disa ndeshje të Ligës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve po luhen pa shikues, ndërsa sfidat Sevilla – Roma e Inter – Getafe të parapara të luhen të enjten, janë pezulluar.
UEFA po vazhdon të insistojë se nuk ka nevojë për të shtyrë turnetë që i organizon, përfshirë këtu edhe Evropianin 2020.