Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Seria impresive vazhdon me tri medalje të argjendta

Duhet të kthehemi disa vjet prapa për të gjetur garën e fundit të xhudos në të cilën Kosova mori pjesë e nuk fitoi medalje. Xhudistët e Kosovës janë në seri impresive e cila vazhdoi këtë javë në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Atje Kosova mori pjesë me gjashtë xhudiste, ndërsa tri prej tyre fituan medalje të argjendta. Në ditën e parë, të premten, deri në finale arritën kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Të shtunën medalje të argjendtë fitoi edhe Laura Fazliu. Ndërkohë, Loriana Kuka, Flaka Loxha e Erza Muminoviq nuk fituan medalje.

Suksesi ka mundur të jetë edhe më i madh sikur gjyqtarët të kishin vlerësim pak më korrekt në finalet e Norës dhe Laurës. Në Federatën e Xhudos së Kosovës ndiejnë se këto dy xhudiste janë dëmtuar në luftërat finale.

“Finalja e Norës përfundoi me dënime dhe si gjithmonë referët po kujdesen që luftërat e barabarta të shohin fituese kundërshtaret. Kundërshtarja e Norës gjatë gjithë luftës vetëm ka bllokuar dhe duhej të dënohej. Por ndodhi e kundërta”, ka shkruar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ai vlerëson se edhe Laura u dëmtua. Kundërshtarja e saj bëri sulme të rrejshme dhe në fund Laura mori dënimin e tretë.

“Rezultati megjithatë, është shumë i mirë. Tri medalje të argjendta në kohën kur forma nuk është më e mira. Xhudistet tona janë të lodhura për shkak të ngarkesës në kampin e mbajtur së fundi. Formën më të mirë e presim në Botëror”, ka thënë Kuka për KOHËN.

Distria Krasniqi ka qenë e sëmurë në dy netët para garës, por ka vendosur të luftojë. Dhe ka vazhduar me formë të lartë.

Edhe Xhudoja kosovare mban nivelin superior, synohet edhe më shumë Luftarake Xhudoja kosovare mban nivelin superior, synohet edhe më shumë

“Ajo që e kemi ditur është se prezenca në Tbilisi nënkupton medalje. Për të qenë të bindur për këtë, vetëm kemi shikuar bilancin e saj. Ajo ka fituar medalje në jo më pak se nëntë gara rresht”, ka shkruar IJF. Në fakt janë dhjetë gara tashmë që Distria fiton rregullisht medalje.

Javën e ardhshme mbahet Grand Slami në Antalya të Turqisë. Pritet kthimi i Akil Gjakovës.

Më pas i gjithë fokusi do të jetë te Botëror që prej 7 deri më 13 maj mbahet në Doha të Katarit. Natyrisht, synimi do të jetë vazhdimi i serisë impresive të fitimit të medaljeve.