Sport

Serbët me deklaratë të palogjikshme, Federata kosovare e vlerëson për “konsum të brendshëm”

Prishtinë, 2 qershor – Kanë mbetur edhe 100 ditë deri te fillimi i Kampionatit Botëror të mundjes që mbahet në Beograd të Serbisë. Kosova është anëtare e barabartë e UWW-së, Federatës Botërore të Mundjes, dhe planifikon të marrë pjesë në Botërorin në Beograd. Natyrisht, e barabartë me vendet e tjera.

Pjesëmarrja e Kosovës në një ngjarje të madhe sportive që mbahet në Serbi përcillet me interes edhe në vendin fqinj.

Të enjten nënkryetari i Federatës së Mundjes së Serbisë, Rajko Baltiq, ka dhënë një deklaratë të palogjikshme. Ai ka theksuar se mundësit nga Kosova mund të marrin pjesë në Botëror vetëm nëse e përfaqësojnë Serbinë.

Deri sivjet, Serbia nuk ka lejuar fare sportistët kosovarë që të paraqiten në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e saj. Kjo situatë ka ndryshuar paksa këtë vit me dy ngjarjet e atletikës. Në Ballkanikun për juniorë dhe në Botërorin në palestër është paraqitur Kosova. Por prezantimi nuk ishte plotësisht i barabartë me vendet e tjera, sidomos në Botëror.

Flamuri i Kosovës ishte i vetmi që nuk u shfaq në ekranin gjigant, ndërsa në fanellën e atletes Gresa Bakraqi u mbulua flamuri i Kosovës me një fashë të zezë. Ndonëse paraqitja u vlerësua si hap para, duhet ende të kalojë kohë që sportistët kosovarë të trajtohen e të paraqiten të barabartë në ngjarjet ndërkombëtare që organizohen në Serbi.

“Të mirëseardhur janë të gjithë ata mundës nga Kosova që paraqiten në përbërjen e reprezentacionit të Serbisë, natyrisht nëse i përzgjedh selektori i ekipit tonë nacional”, ka thënë Baltiq për “novosti.rs”.

Ai megjithatë nuk është shprehur shumë qartë kur është pyetur për pjesëmarrjen e Kosovës. Një politikë të ngjashme kishte ndjekur edhe Federata e Atletikës së Serbisë.

“Vetëm në atë variant janë të mirëseardhur. Jam i sigurt që Federata e Mundjes këtë çështje do ta zgjedhë në mënyrë adekuate dhe se nuk do të ketë probleme lidhur me këtë, përkundër se shumë bëjnë përpjekje për ta keqpërdorur situatën aktuale”, ka shtuar Baltiq.

“Novosti” shkruan se ky zyrtar nuk ka dashur të flasë shumë për “temën e ndjeshme”.

Në Federatën e Mundjes së Kosovës nuk është se befasohen shumë me deklaratat e zyrtarit serb. Deklaratat e këtij lloji i vlerësojnë “për konsum të brendshëm”.

“Deklaratat e zëvendëspresidentit të Federatës së Mundjes së Serbisë janë për konsum të brendshëm. Federata serbe është vetëm organizatore teknike e Kampionatit Botëror të mundjes për seniorë, që mbahet në shtator. Federata e Mundjes e Kosovës është duke i bërë përgatitjet që të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në këtë eveniment, si çdo federatë tjetër anëtare e UWW-së”, ka thënë për KOHËN Genc Fazlija, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Mundjes së Kosovës.