Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selmani vazhdon karrierën në ligën ku shkëlqeu, firmos me klubin e Ibrahimoviqit

Shpërthimi në edicionin debutues ia ka siguruar kalimin në skuadrën më të madhe sulmuesit kosovar Astrit Selmani. Ai, në edicionin e vitit 2020 tek Allsvenska në Suedi, ka realizuar 15 gola e gjashtë asistime në 24 paraqitje. Ishte prej golashënuesve më të mirë dhe lider i pakontestueshëm i skuadrës Varbergs BoIS, ku ishte kapiten. Prej të premtes, Selmani është pjesë e skuadrës tjetër suedeze, Hammarby. Për të janë interesuar skuadra të ndryshme në Suedi dhe vende të tjera, por ai ka vendosur për Hammarbyn. Me Hammarbyn ka firmosur për katër vjet.

“Astriti është lojtar i duhur për Hammarbyn. Atë e kemi përcjellë gjatë dhe është lojtar që i përshtatet sulmit tonë. Me kombinimin e stilit të lojës, personalitetit dhe dëshirës për fitore, Astriti është lojtar për të cilin jemi të lumtur që do ta kemi në ekip. Mendojmë se do të përshtatet si duhet në Hammarby. Ne shohim potencial të madh tek Astriti”, ka thënë drejtori sportiv i Hammarbyt, Jesper Jansson.

23-vjeçari ka vetëm dy edicione në nivelin e lartë të futbollit në Suedi. Më herët ka luajtur në nivele të ulëta. Në edicionin e vitit 2019 realizoi 15 gola në 27 paraqitje për Varbergsin në kategorinë e dytë. Udhëhoqi skuadrën drejt promovimit në elitë për herë të parë.

Edhe në elitë shfaqi vlera, duke udhëhequr skuadrën.

“Ndihem shumë mirë që është realizuar transferimi. Kam vendosur herët, gjithnjë e kam ditur se ku do të përfundoj dhe ky është ekipi ku kam dashur të shkoj për kohë të gjatë”, ka thënë Selmani për faqen zyrtare të klubit të ri.

Edhe Hammarby i del në mbrojtje Selmanit Sport Hammarby i del në mbrojtje Selmanit

Selmani nuk ka luajtur në nivel përfaqësuesesh deri më tani. Ai ka gjasë të luajë për Kosovën në të ardhmen. FFK-ja ka nisur ta përcjellë atë.

Hammarby edicionin e fundit e ka përfunduar në vend të tetë. 23,5 për qind të aksioneve te ky klub i ka ylli Zlatan Ibrahimoviq. Titullin e Suedisë e ka fituar në vitin 2001, ndërsa nënkampion ishte dy herë.