Sport

Selmani për KOHËN: Shumë i lumtur për dy golat ndaj Çukariçkit serb

Sulmuesi kosovar, Astrit Selmani, ka festuar me emocion pas shënimit të dy golave, të enjten në “Tele2Arena” në Stokholm të Suedisë. Selmani e ndihmoi Hammarbyn suedez që ta përmbys rezultatin ndaj ekipit nga Serbia, Çukariçki dhe të kualifikohet në plejof të Ligës së Konferencës.

Çukariçki e kishte fituar 3:1 ndeshjen e parë të luajtur në stadiumin e Partizanit në Beograd, më 5 gusht. Por Hammarby të enjten fitoi 5:1 për kalim me sukses të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Jam shumë i lumtur”, ka thënë Selmani për KOHËN pak kohë pas përfundimit të ndeshjes në Stokholm.

“Jam i lumtur për golat dhe për fitoren. Natyrisht se kam qenë i motivuar shumë për këtë ndeshje. Ishte ndeshje e veçantë dhe kemi marrë rezultat të madh. Unë kam ndihmuar me dy gola dhe jam shumë i lumtur për këtë”, ka theksuar Selmani.

Ai është i kënaqur me formën që po kalon. Tregon se në tetë ndeshjet e fundit ka kontribuar me shumë gola e shumë asistime.

“Nëse llogariten golat e asistimet atëherë i kam nëntë në tetë ndeshjet e fundit. Është shifër që më bën të lumtur. Sidomos fitorja sonte na ka gëzuar shumë. Atmosfera ishte shumë e bukur dhe të gjithë kemi festuar”, ka shtuar Selmani.

“Shpresoj që ta fitoj të drejtën të luaj për Kosovën dhe këtë formë ta vazhdoj edhe me Kosovën”, thotë futbollisti 24-vjeçar.

Pasi shkëlqeu vjet te Varbergsi, Selmani këtë vit i është bashkuar skuadrës dukshëm më të madhe suedeze, Hammarby.

Sulmuesi shpërthyes dhe i palodhshëm ka tri gola e pesë asistime në 14 paraqitje në Allsvenskan. Në katër ndeshje në Ligën e Konferencës i ka pesë gola e një asistim. Pra ka shifra të jashtëzakonshme. Ai kishte shënuar tri gola ndaj Mariborit në fitoren 3:1. Selmani është grumbulluar më herët për Kosovën, por nuk ka debutuar. Ai shpreson që të grumbullohet sërish në shtator dhe të debutojë. Vlerësohet sulmues i profilit që aktualisht nuk e ka Kosova.