Astrit Selmani ende nuk e ka gjetur rrugën e golit në edicionin aktual të elitës së futbollit suedez, “Allsvenskan”. Megjithatë, sulmuesi nuk dëshiron që ta ndryshojë stilin e lojës.
“Ata mendojnë se jam bërë vetëmohues në shumë situata. Është diçka në të cilën po punoj, por është ndryshe për mua”, ka thënë Selmani të premten për “Fotbollskanalen”.
Reprezentuesi i Kosovës nuk ka shënuar në elitën e futbollit suedez në 437 minuta, pavarësisht se Hammarby është skuadra me më së shumti gola të realizuar deri tani.
Marti Cifuentes dhe bashkëlojtarët e tij mendojnë se ai duhet të jetë më egoist, por ai heziton ta bëj një gjë të tillë.
“Po, ai dhe i gjithë ekipi. Ata mendojnë se unë jam vetëmohues në shumë situata. Kam qenë lojtar i tillë në gjithë jetën time. Ta ndryshoj stilin e lojës vetëm që të bëhem lojtar që shënon gola është diçka shumë e vështirë. Unë shpeshherë vrapoj për t’u bërë vend të tjerëve”, ka theksuar Selmani.
Selmani e ka shansin ta shënojë golin e tij të parë në “Allsvenskan” këtë sezon të hënën, kur Malmo viziton stadiumin “Tele2 Arena”.